Një zjarr i rënë në një banesë në qytetin e Shkodrës ka shkrumbuar pjesën më të madhe të saj.

Flakët e zjarrit kanë përfshirë shtëpinë e familjes Shpuza përballë lulishtes në afërsi të tregut valuator, në qendër të qytetit. Në momentin e zjarrit brenda banesës ndodheshin dy persona të familjes Shpuza. Fatmirësisht që të dy kanë arritur që të dalin me shpejtësi pa pësuar lëndime apo djegie në trupin e tyre. Kanë qenë orët e para të mëngjesit, rreth orës 2:15 kur e gjithë ndërtesa e përbërë prej dy katesh është djeguar pothuajse plotësisht. Në atë shtëpi janë 3 pronarë të ndryshëm, vëllezërit Shpuza dhe si shkak i flakëve janë djegur totalisht 9 dhoma ndërsa dy të tjera janë djegur pjesërisht. Si shkak i këtij zjarri shtëpia ka dalë jashtë funksionit dhe momentalisht është e pabanueshme. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur efektivët e zjarrëfikëses të cilët kanë bërë shuarjen e flakëve të zjarrit por pa arritur që të shpëtojnë pothuajse asgjë sepse 9 dhoma të shtëpisë ishin djegur. Nga hetimet paraprake dyshohet se shkak i zjarrit ka qenë një shkëndije elektrike në katin e dytë të banesës që mund të ketë ardhur nga instalimet e vjetra. Megjithatë ende nuk ka dalë ekspertiza përfundimtare. Kjo banesë e djegur është një shtëpi karakteristike shkodrane në të cilën familja Shpuza është vendosur aty para afro 70 viteve ndërkohë që është ndërtuar shumë më përpara. Me një stil të shtëpive karakteristike, brenda asaj janë djegur disa sende me vlerë që familje Shpuza i ka ruajtur gjithë këto vite duke i trashëguar.

Artikulli paraprakSHKODËR, ARRESTOHET A.BILALI
Artikulli tjetërLAGJIA “SKËNDERBEG”, 50 FAMILJE PA UJË TË PIJSHËM