Prej po thuajse një viti, “Mjeshtri i Madh” Kujtim Alija nuk jeton më por jeton vepra e tij në artin dhe kulturën shqiptare që la pas duke risjellë festivalin e fëmijëve por edhe duke dhënë një kontribut të çmuar në bandën muzikore të qytetit. Përpara natës finale në kinema Millenium në Shkodër u shfaq një dokumentar kushtuar dirigjentit Kujtim Alija i cili e riktheu festivalin e fëmijëve në vitin 1993 dhe e bëri atë mbarëkombëtar duke bërë që nga duart e tij të dalin dhjetra e dhjetra artistë të talentuar.
Bashkëshortja e të ndjerit Kujtim Alija, Ermira Alija e cila këtë vit vijoi ëndrrën e përhershme të profesor Kujtimit duke dhënë një kontribut në festivalin e 60-të shprehet se festivali do vijojë pavarësisht boshllekut të madh që la mjeshtri i muzikës.
Një dëshirë e fundit para se të ndërronte jetë e Kujtim Alija ishte që vajza e tij vogël që po studionte për IT të bëhej pjesë e festivalit, dëshirë që e ndoqi pasi babai i saj u nda nga jeta.
Kujtim Alija la një amanet si një mesazh për artin e kulturën shqiptare.
Kompozitori Zef Çoba, një prej miqve më të mirë të Kujtim Alisë thotë se edhe pse tashmë nuk jeton më, ne festojmë me profesor Kujtimin përmes festivalit të 60-të të fëmijëve që aq shumë e deshi.
Dokumentari prej 30 minutash solli disa prej miqve më të mirë të artit të dirigjentit Kujtim Alija i cili ka mbetur në memorien e një kombi për shpirtin e tij artistic dhe vlerat muzikore që dhuroi për afro 35 vite.