Ky rrëfim është i të ndjerës Kydret Kazazi, gruas shkodrane e cila vuajti në kampet e internimit në Tepelenë dhe tregon historinë e vëllait të saj 3 vjeçar që u varros në atë mënyrë çnjerëzore dhe deri më sot trupi i tij nuk është gjetur ende. Ky rrefim dhe shumë të tjera erdhën përmes dokumentarit “Varret pa emer” të platformës kujto.al që u shfaq për herë në kinema “Millenium” në Shkodër kushtuar të gjithë të pushkatuarve dhe të zhdukurve nga regjimi monist trupat e të cilëve nuk janë gjetur ende.
Një tjetër rrëfim rrënqethës vjen nga Ndoc Ashta i cili tregon se si u vra në lumin Buna familja e Pal Kokrrit në tentativë për tu arratisur drejt Ish-Jugosllavisë. Vajza 9 vjeçe Liljana Kokrri nga frika e plumbave të kufitarëve u hodh në ujë duke mos u gjetur më kurrë.
Skenaristja e dokumentarit “Varret pa emër” Admirina Peçi tregon se ky material synon që të nxisë kryesisht shtetin shqiptar që të lëvizë për të gjetur të zhdukurit gjatë komunizmit duke qenë se deri më tani shteti ka qenë plotësisht indiferent.
Zef Ndoja është vëllai i Tom Ndojës i cili pas 32 vitesh gjeti në Kuç të Gurit të Zi trupin e vëllait të tij Tom Ndoja i cili u pushkatia pas revoltës në burgun e Qafë Barit.
Lukasz Kaminiski, drejtor i platformës europiane të kujtesës, historian nga Polonia thotë se polakët prej 10 vitesh kanë nisur procesin e gjetjes së të zhdukurve gjatë diktaturës dhe fton shtetin shqiptar që të bëjë të njëjtën gjë sepse asnjëherë nuk është vonë.
Dokumentari “Varret pa emër” mbyllet me një mesazh të fortë të Ndoc Çulaj nga Malësia e Madhe një tjetër i persekutuar që nuk ka gjetur ende trupat e familjarëve të tij.
Janë mbi 5 mijë shtetas shqiptar të pushkatuar dhe për të cilët familjarët nuk kanë ende një varr për t’i qarë. Shteti shqiptar nuk marrë asnjë iniciativë për t’i gjetur edhe pse shumë prej tyre shteti ka dijeni se ku ndodhet.
Numri i të gjeturve është shumë i pakët dhe ka qenë përpjekje të pafundme të familjarëve të cilët kanë arritur që ti gjejnë edhe pse janë shumë pak. Në asnjë ligj, kod, kanun, zakon apo traditë nuk është e ndaluar që të vdekurit të kenë një varr!