Edmond Sulaj do të jetë drejtori i ri i policisë vendore të Shkodrës i cili zëvendëson Ervin Hodaj. Ky i fundit do të jetë tashmë drejtor i krimeve të rënda në policinë e shtetit. Ndërkohë zëvendës drejtori i Përgjithshëm i Policisë së shtetit Sokol Bizhga prezantoi drejtorin e ri të Policisë Shkodër, Edmond Sulaj. Policia e shtetit në njoftimin e saj thotë se me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, me qëllim dhënien e impulseve të reja, në drejtim të zbulimit dhe të dokumentimin të krimeve të rënda, Drejtues i Parë Ervin Hodaj, deri tani Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, transferohet dhe emërohet Drejtor për Hetimin e Krimeve të Rënda, në Departamentin e Policisë Kriminale, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Këtë pozicion deri më tani e mbante Edmond Sulaj i cili nga sot do jetë në krye të policisë vendore të Shkodrës. Policia e Shtetit në njoftimin e saj bën të ditur se drejtori Bizhga ka vlerësuar punën shumë të mirë të bërë nga drejtori i policisë së Shkodrës Hodaj, duke vlerësuar integritetin profesional dhe moral të tij, si dhe ka theksuar se kjo punë duhet të çohet më tej, nga drejtori i ri Edmond Sulaj, i cili gjithashtu është një drejtues karriere, që ka treguar integritet të lartë moral dhe profesional, gjatë kryerjes së detyrave të mëparshme në Policinë e Shtetit.
Një ditë përpara largimit nga Shkodra dhe emërimit si drejtor i krimeve të rënda, Ervin Hodaj dha një intervistë për “Star Plus” në emisionin “Tonight” lidhur me punën e policisë në luftën ndaj kultivimit dhe trafikut të drogës si dhe për ngjarjet e fundit kriminale të ndodhura në Shkodër. Hodaj u emëruar në dhjetorin e vitit 2022 si drejtor i policisë vendore të Shkodrës dhe largohet pas afro 9 muajsh. Gjatë kësaj periudhe ndodhën katër vrasje nga nëntë që ishin vitin e kaluar si dhe u realizua operacioni “Alpe të Pastra” duke sekuestruar mbi 191 mijë rrënjë kanabis kryesisht në zonat malore, një shifër më e lartë krahasuar me vitet e mëparshme.