Pavarësisht investimeve të kryera disa kohë më parë, rrjeti elektrik në rrugën “Et’hem Kazazi” në qytetin e Shkodrës ka nevojë për ndërhyrje të tjera. Telat e energjisë janë amortizuar ndjeshëm saqë rrezikojnë të shkëputen nga shtyllat e të bien në tokë. Jashtë kameras, banorë të zonës tregojnë se investimet duhet të kishin qenë në nivele më të mira pasi disa nga shtyllat prej hekuri nuk I kanë rezistuar kohës dhe stinës së dimrit.
Riparimet e telave të dëmtuar duket se nuk kanë patur një ndërhyrje profesionale nga persona të specializuar, por kanë qenë vetë banorët të cilët kanë ndërhyrë në rikthimin e energjisë elektrike sa herë ka patur luhatje tensioni. Rreziku gjatë kalimit në këtë rrugë është I madh, kryesisht gjatë mbrëmjeve si shkak edhe I mungesës së ndriçimit, një problem që nuk I ëshët dhënë zgjidhje prej vitesh.
Pavarësisht kërkesave të bëra nga komuniteti I zonës në drejtim të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, akoma nuk janë marrë të gjithë masat e nevojshme për përmirësimin e kushteve me të cilat qindra familje përballen në këtë zonë. Disa herë përmes medias është kërkuar një vëmendje më e shtuar ndaj këtij problemi, por duket se
investimet janë bërë me ritëm shumë të ulët, gjë e cila ka rritur edhe më shumë zhgënjimin e qindra banoëve në lagjen “Et’hem Kazazi”. Problemet më të mëdha në këtë zonë shfaqen gjatë dimrit ku si shkak I motit me shi dhe amortizimit të kabllove, shkëputja e energjisë elektrike lë një nuëmr të madh familjesh në errësirë.