Menjëherë pas dokumentarit “Varret pa emër” që u shfaq në kinema “Millenium” familjarë kryesisht të të zhdukurve gjatë komunizmit që nuk kanë ende një varr përjetuan emocione të forta. Dedë Mirashi Camaj është një prej tyre i cili nuk arrin ta përceptojë se si ende pinjollët e atyre që vranë e persekutuan por edhe ata vetë janë ende në institucionet apo politikën shqiptare.
Vildana Kazazi Gushta, vajza e Kydret Kazazit e cila rrëfeu se si i vdiq në kampin e Tepelenës vëllai 3 vjeçar si dhe Ndoc Ashta familjar me disa të pushkatuar shprehen se brezat e rinj duhet të njihen me këtë histori të trishtë dhe se këto histori duhet të jenë në tekstet shkollore.
Dokumentari “Varret pa emër” solli rrëfime të trishta që disa prej tyre erdhën për herë të parë duke treguar mizorinë e regjimit komunist për 45 vite me radhë se si vrane e zhdukën deri edhe fëmijë, gra shtatzëna apo edhe të smurë e të moshuar, intelektualë si dhe vajza e djem të rinj duke i prerë ëndrrën e jetës në mes.