Në katedralen “Shën Shtjefni” në Shkodër është kremtuar mesha e shenjtë për liturgjinë e mundimeve të Jezu Krishtit në prag të festës së shenjtë të Pashkës. Mesha u kremtua nga famullitari i Shkodrës dom Vlash Palaj i cili risolli në vëmendje vuajtjet e familjeve që u prekën nga pandemia por edhe faktin se asnjëherë nuk duhet humbur shpresa.
Për të gjithë ata të pushtetshmit që e mendojnë veten se janë si Zoti, të paprekshëm, dom Vlash Palaj solli historinë e Pilatit me Jezu Krishtin.
Pas meshës së shenjtë u kremtua Udha e Kryqit që nisi nga katedralja “Shën Shtjefni”. Famullitari Palaj zgjodhi të japë një mesazh për 2 prillin e vitit 1991 kur mbetën të vrarë katër djem shkodran dhe mbi 100 u plagosën nga sistemi dictatorial.
Udha e Kryqit vijoi nga katedralja deri tek varrezat katolike të Rrmajit një vend ku famullitari Palaj tha se gjithnjë i jep një mesazh të fortë për faktin se pak metra nga aty u pushkatuan disa prej martirëve të Kishës dhe kombit shqiptar.
Mesha e shenjtë e liturgjisë së mundimeve dhe Udha e Kryqit u transmetuan live nga Star Plus Tv ashtu si gjitha aktivitetet e tjera të Javës së Pashkës.