Djali 5-vjeçar i aksidentuar një ditë më parë i cili ra nga dritarja e pasme e makinës së babait të tij vazhdon që të jetë në një gjendje të rëndë shëndetësore ndërsa është i shtruar në repartin e reanimacionit në spitalin rajonal të Shkodrës. Mjekët kanë parë mundësinë e transportimit të tij drejt Tiranës për një mjekim më të specializuar por ka qenë e pamundur për shkak të gjendjes së tij dhe rrezikshmërisë që mund të ketë gjatë transportimit.
Drejtori i spitalit rajonal të Shkodrës Ardian Dajti shprehet se e ka parë vetëm fëmijën 5-vjeçar dhe për momentin gjendja e tij është e qetë duke qenë se nuk ka përkeqësime por ende nuk e kaluar rrezikun për jetën si shkak i plagëve që ka pas koke
Djali 5-vjeçar ndodhej në pjesën e pasme të makinës bashkë me tre fëmijët e tjerë të shtetasit Hilmi Kurtaj, 50 vjeç. Babai po udhëtonte në drejtim të Postribës ku ka shtëpinë kur papritur në fund të lagjes “Skenderbeg” pas zonës së ish-fermentimit, papritur fëmija ka rënë nga dritarja. Babai nuk e ka vënë re një gjë të tillë dhe ka vijuar rrugën drejt shtëpisë.
Drejtuesi i një mjeti tjetër duke kaluar rastësisht e ka parë fëmijën në tokë dhe të aksidentuar dhe e ka dërguar menjëherë në spitalin rajonal. Pas disa minutash është paraqitur babai i fëmijës duke i thënë mjekëve dhe policisë se ka rënë nga dritarja e pasme e mjetit.
Policia vendore e ka marrë në pyetje 50-vjeçarin i cili ka treguar ngjarjen ndërsa efektivët nuk e kanë proceduar penalisht por thjeshtë e kanë dërguar çështjen për vlerësim në prokurorinë e Shkodrës duke qenë i lirë për momentin. Djali 5-vjeçar S.K vazhdon të jetë në gjendje të rëndë teksa dëmtimet më të mëdha i ka marrë pas koke ndërsa mjekët po kujdesen për të bërë maksimumin që fëmija të shpëtojë.