Asmer Bilali ka mbërritur sërish në Shkodër. I shoqëruar nga forca të shumta sigurie nga policia Asmer Bilali këtë radhë erdhi për të dëshmuar në gjyqin që po zhvillohet për ngjarjen ndaj ish-trajnerit të Vllaznisë Ernest Gjoka i cili u godit nga një person në kohën kur drejtonte kuqeblutë,
ngjarje e ndodhur në shkurt të 2018-ës. Si për ironi të fatit një ditë më parë kur u kërcënua trajneri i Vllaznisë Agim Canaj duke i vendosur duart në fyt për mosaktivizim të një prej lojtarëve në gjykatën e shkallës së parë në Shkodër u zhvillua gjyqi i radhës ndaj shtetasit Nehat Fojleta i akuzuar për vrasje me paramendim e mbetur në tentativë ndaj ish-trajnerit të Vllazisë Ernest Gjoka
dhe shtetasit Sehar Xhenje i akuzuar si bashkëpunëtor në këtë ngjarje. Asmer Bilali i gjendur nën masën “arrest me burg” erdhi nga Tirana si dëshmitar i ngjarjes të një viti më parë. Duke qenë se Asmer Bilali ka vëllain e sëmurë në sallën e gjyqit dëshmoi se një mjet që ka patur në përdorim ia ka lënë shokut të tij Sehar Xhenje për t’i kryer nevojat familjare.
Nga ana tjetër shtetasi Sehar Xhenje mohoi në sallën e gjyqit se ka patur dijeni për goditjen e ish-trajnerit të Vllaznisë Ernest Gjoka. Xhenje tha se thjeshtë ka shoqëruar shokun e tij Nehat Fojleta tek fusha sportive “Reshit Rusi” pasi ia ka kërkuar një gjë të tillë.
Nehat Fojleta që akuzohet për “vrasje me paramendim” e mbetur në tentativë mohoi akuzat ndaj tij. Fojleta pretendon se duke dalë nga fusha sportive i është drejtuar ish-trajnerit të Vllaznisë duke i thënë se “po na e fundos Vllazninë” dhe pas kësaj shprehje sipas të dyshuarit Ernest Gjoka e ka fyer dhe e ka sharë rëndë atë.
Në këtë moment Fojleta i ndjerë i fyer pranon se e ka goditur Gjokën. Prokuroria nga ana e saj pretendon se shtetasi Nehat Fojleta ka shkuar me qëllim për ta vrarë ish-trajnerin duke qenë se sipas organit të akuzës Fojleta ka nxjerrë një thikë për ta goditur.
Këto pretendime i dyshuari Fojleta i ka hedhur poshtë duke thënë se ka qenë thjeshtë një konflikt i çastit pasi ish-trajneri e ka fyer atë. Edhe i dyshuari si bashkëpunëtor Sehar Xhenje shprehet se nuk ka patur asnjë dijeni se çfarë do të ndodhte.
Në fund të kësaj seance dëshmitari Asmer Bilali iu drejtua gjykatës duke i thënë “a ju vjen turp që mbani këto dy djem për një shpullë”. Pala mbrojtëse kërkoi për shtetasin Nehat Fojleta gjykim të shkurtuar si dhe të ndryshohet akuza nga “vrasje me paramendim”, e mbetur në tentativë në “goditje për shkak të detyrës”.
Nga ana e tij ish-trajneri Ernest Gjoka në seancën paraprake ka deklaruar se “i kam falur dy djemtë, dhe për mua le të dalin”. Tashmë në seancat e ardhshme pritet se çfarë dënimi do të kërkojë prokuroria dhe se çfarë vendimi do të japë gjykata e shkallës së parë.