Policia e Shkodrës ka ndaluar një shtetas i cili ishte dënuar me 8 vite burg dhe ishte në listën e personave të shpallur në kërkim. Kështu në pranga ka rënë shtetasi Hazis Isenlikaj, 46 vjeç banues në Mat. Ky shtetas ishte dënuar me 8 vite burg nga gjykata e shkallës së parë Shkodër për veprën penale “prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Policia vendore e Shkodrës bën të ditur në njoftimin e saj se strukturat policore të Shkodrës në bashkëpunim me policinë e Tiranës në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative kanë kapur dhe ndaluar shtetasin Hazis Isenlikaj pasi gjykata e shkallës së parë në Shkodër me 27 qershor të 2017-ës e ka dënuar me 8 vite burgim përmes një vendimi të formës së prerë për përfshirje në prodhim dhe shitjen e drogës të llojit “canabis sattiva”.

Për herë të parë shtetasi Hazis Isenlikaj është arrestuar në vitin 2014 në Tiranë teksa dyshohej se shiste lëndë narkotike në kryeqytet ndërsa u kap në atë kohë pas lokalizimit dhe ndjekjes disa ditore nga agjentët e Antidrogës, në një aksion të befasishëm. Hazis Isenlikaj, banues në Tiranë në vitin 2014, u lokalizua në bulevardin “Zhan Dark” në orë të vona,

kurse pas kontrollit fizik të ushtruar nga Patrulla e Përgjithshme, i është gjetur një sasi lënde narkotike, me peshë 130 gramë hashash, që u sekuestrua si provë materiale. Pas 2014-ës 46 vjeçari Hazis Isenlikaj është dyshuar si i përfshirë sërish në shitje dhe prodhim të lëndëve narkotike por kësaj here bëhej fjalë për një sasi prej 129 kilogramësh e llojit canabis sattiva.

Policia gjeti një mjet të braktisur të tipit “Dacia” brenda të cilit u gjetën 129 kilogramë drogë. Efektivët arrestuan fillimisht dy shtetas dhe më pas u dyshuan të përfshirë edhe 4 të tjerë mes të cilëve edhe Hazis Isenlikaj. Tre prej tyre Preng Gjeçi, Prekë Shpendi dhe Niko Qarkaj u dënuan me nga 4.8 vite burg secili, vendim i dhënë në dhjetor të 2016-ës.

6 muaj më pas gjykata dha dënimin edhe për Hazis Isenlikaj duke e dënuar me 8 vite burg. Pas më shumë se dy vitesh e gjysëm nga ky vendim i dhënë policia e Shkodrës e ndaloi 46 vjeçarin i cili do të vuaj dënimin.

Artikulli paraprakADZM-BASHKIVE: KRYENI PASTRIMIN NË ZONAT E MBROJTURA
Artikulli tjetërSHKODËR, POETJA HALILI: ELITAT PRODHOJNË VLERA ARTIFICIALE