30 vjeçari Eduart Ksolla, i cili u arrestua nga Policia e Shkodrës për vrasjen e 47 vjeçarit Prek Tonaj, ka mohuar se është ai autori i vrasjes së ndodhur mbrëmjen e 13 shkurtit. Burimet bëjnë me dije se 30 vjeçari, nuk ka pranuar akuzat për vrasjen e 47 vjecarit Prek Tonaj.

Ai ka deklaruar se nuk ka qenë atë natë në vendin e ngjarjes, ndërkohë që prova që mendohet se ka bindur hetuesit e policisë se ky shtetas është autor i dyshuar i vrasjes janë gjurmët e barotit por edhe disa dëshmi dhe metodat speciale të hetimit përmes përgjimeve ambjentale.

Policia e Shkodrës i ka shkuar në banesë 30 vjeçarit Ksolla menjëherë pas vrasjes, pasi dyshohet se kjo ngjarje ka lidhje me konfliktet e hasmërisë mes dy fiseve. 30 vjeçari është marrë nga banesa e tij dhe është shoqëruar për në mjediset e komisariatit të Policisë së Shkodrës. Gjatë kontrollit në banesën e 30 vjeçarit nuk i janë gjetur armë, megjithatë tashmë mbi Ksollën rëndon akuza e vrasjes për gjakmarrje.

Eduart Ksolla, lindur në Nicaj, Shosh dhe banues në fshatin Grudë e Re, u vu në pranga një ditë pas vrasjës, më 14 shkurt. Arrestimi i tij u bë për veprën penale “Vrasja për gjakmarrje”, pasi nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera dyshohet si autor i vrasjes së 47-vjeçarit Prekë Tonaj, për motive gjakmarrjeje.

47-vjeçari Prek Tonaj, u ekzekutua me breshëri kallashnikovi në fshatin Grudë e Re në Shkodër, brenda një lokali. Prek Tonaj prej disa vitesh ishte përgjegjës i ujësjellës kanalizime për Njësinë Vendore “Rrethina”, ndërsa nuk fshihej nga frika e gjakmarrjes. Tonaj ishte person me precedentë, i arrestuar 11 vite më parë për tentativë vrasje.

 

Artikulli paraprakSHKODËR, “PLANIFIKIMI FAMILJARË DHE SHËNDETI RIPRODHUES”
Artikulli tjetërSHIROKA, ZONA TURISTIKE NËN PUSHTETIN E MBETJEVE