Institutet e Albanologjisë të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut në fund të takimit që zhvilluan në Shkodër shpallën një strategji afatgjatë 4 vjeçare të bashkëpunimit mes tyre. Rektor i Akademisë së Studimeve Albanologjike Luan Përzhita tha se shkrirja e këtij institucioni për t’u bashkuar me Akademinë e Shkencave siç pretendon kreu i Akademisë së Shkencave Skender Gjinushi nuk do të ndodh.
Afrim Krasniqi i cili drejton Institutin Historik në Shqipëri tha se kjo tentativë e Akademisë së Shkencave është për shkak se ata nuk prodhojnë siç bëjnë Institutet ndaj edhe po kërkohet ky bashkim për të cilin nuk janë dakord.
Rektori Përzhita tregoi edhe shqetësimet që dolën nga takimi me Institutet e Albanologjisë të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut ndërsa profesor Krasniqi u shpreh se ky takim shërben për të bërë më shumë presion për të arritur në strategjinë afatgjatë që në Shqipëri mungon.
Një zë i përbashkët mes Instituteve të Studimeve Albanologjike të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut është shumë më i fortë në të ardhmen tha rektori Përzhita.
Gjatë takimit mes Instituteve të Studimeve Albanologjike të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut janë diskutuar edhe një sërë problematikash të tjera të cilat do jenë pjesë e zgjidhjes përmes strategjisë afatgjatë që kanë vendosur të kenë sëbashku këto institucione.