Nga 12 të kualifikuarit në listën prej 38 kandidatësh tashmë është mësuar se cilët mund të jenë drejtuesit e rinj të policisë në qarqe. Kështu në Shkodër pritet që garën ta fitojë Gentian Berberi i cili ka qenë edhe më përpara në këtë qark si shef krimesh dhe më pas është transferuar në disa qytete në poste të larta duke qenë edhe drejtor i policisë së qarkut Vlorë ndërsa sëfundmi ka qenë zëvendës drejtor në policinë e qarkut Lezhë. Berberi do të zëvendësojë në Shkodër drejtorin aktual Edmond Sulaj i cili nuk kandidoi në këtë proces për arsye që ende nuk dihen edhe pse ka një karrierë të gjatë në polici. Vilson Bala, kreu i operacionales në policinë e shtetit është ai i cili kryeson listën prej 38 kandidatësh në vend të parë me 91 pikë, pritet që të jetë drejtori i ri i policisë Tiranë duke zëvendësuar Tonin Vocaj i cili u rendit i 14-ti me 72 pikë duke u përjashtuar nga mundësia për të qenë drejtues qarku.
Vocaj është një prej emrave më të rëndësishëm vitet e fundit në policinë e shtetit duke mbajtur poste të larta por çuditësisht nuk ka arritur që të renditet në mes 12 më të mirëve. Luigj Vathi i cili mori 78.67 pikë dhe u rendit i 6-ti ndërsa deri më tani ka mbajtur postin e zëvendës drejtorit në policinë e Tiranës pritet që të emërohet si drejtor qarku në Lezhë duke zëvendësuar drejtuesin aktual Alfred Elezi që u rendit thuajse në fund të listës i 36-ti me 48 pikë. Altin Mena, zëvendës drejtor në Lezhë pritet që të jetë drejtori i ri i qarkut Elbasan ndërsa u rendit i 8-ti me 77 pikë. Mena do të zëvendësojë në Elbasan Ilir Prodën i cili fitoi garën si drejtor i përgjithshëm në policinë e shtetit. Fatmir Lleshaj, drejtor i menaxhimit dhe koordinimit pritet të emërohet si drejtor qarku në Durrës duke zëvendësuar drejtuesin aktual Skënder Hitaj.
Ky i fundit edhe pse u përfol si një prej emrave për postin e drejtorit të përgjithshëm, në këtë garë të dytë nuk arrin të renditet as mes 12-të më të mirëve duke qenë i 15-ti me 71 pikë, një renditje kjo që ashtu si e disa emrave të tjerë ngre pikëpyetje të mëdha. Ndërkohë në listën prej 12-të fituesish janë edhe Elidon Çela, Elton Alushi, Fatmir Hoxha, Altin Merizaj, Erion Ahmeti, Artion Duka dhe Gazment Shehi që pritet të emërohen në qarqet e tjera. Bashkë me emra si Tonin Vocaj apo Skënder Hita jashtë listës fituese mbetën edhe disa drejtues të rëndësishëm të policisë ndër vite si Gjovalin Loka, Lorenc Panganika, Niko Brahimaj, Lorenc Meta apo Ardian Çipa që u tërhoq nga gara dhe Edmond Sulaj që nuk konkuroi. Dy drejtues të tjerë aktual të policisë së Shkodrës, zëvendës drejtori Kujtim Gjoka u rendit i 31-ti me 58 pikë dhe zëvendës drejtori tjetër Akil Kalo i parafundit në vendin e 37-të me 47 pikë.