Sesioni dygjuhësh në shkollën “28 Nëntori” zhvilloi një aktivitet për javën botërore të gjuhës italiane. Ky aktivitet këtë vit u mendua duke patur në fokus poezitë e autorëve italian por edhe një xhiro me biçikleta në disa prej rrugëve kryesore të qytetit ndërsa kishte mbishkrimi të marra nga poetët italian por edhe biseda të rastit me kalimtarë të ndryshëm.
Giovanni Sana, profesor i gjuhës italiane dhe letërsisë thotë se këto aktivitet ndihmojnë në njohjen më të madhe të nxënësve me kulturën italiane dhe atë botërore por edhe me promovimin e kulturave të përbashkëta që ka qyteti i Shkodrës dhe Italia.
“Objektivi i këtij organizimi është promovimi i javës së gjuhës italiane në botë. Aktiviteti do të jetë në qytetin e Shkodrës, në disa prej rrugëve.
Ne kemi zgjedhur edhe disa poezi të autorëve italian dhe janë vetë nxënësit ata që kanë përzgjedhur këto poezi dhe që kanë organizuar të gjithë këtë aktivitet. Kjo që po bëjmë ka rëndësi sepse përveç frekuentimit që kanë nxënësit ata njohin nga afër edhe poezinë italiane dhe bukurinë e saj por jo vetëm sepse kanë zgjedhur edhe disa poetë të tjerë dhe
nxënësit kështu afrohen më shumë me poezinë dhe letërsinë në përgjithësi apo kulturën italiane dhe atë botërore. Këtë vit kemi vendosur që të gërshëtojmë sëbashku poezinë me biçikletën duke qenë se qyteti i Shkodrës cilësohet si qyteti i biçikletave dhe ne donim të promovonim sëbashku dy kulturat, atë italiane me atë shqiptare dhe normalisht këto iniciativa promovohen edhe nga ambasada italiane në Tiranë.
Sa i përket itinerarit do të jemi përpara bashkisë, në të dy pedonalet dhe më pas tek rruga muzeale e Gjuhadolit”.
Ky nuk është i vetmi aktivitet sepse janë organizuar edhe disa të tjerë ndërsa këto aktivitete në kuadër të javës botërore të gjuhës italiane janë kthyer në një traditë në qytetin e Shkodrës.