Edhe sot, çmimi i naftës në vend është 217 lekë, ai i benzinës 217, ndërsa gazi 93 lekë për litër. Nga vëzhgimi i bërë mëngjesin e kësaj të hënë, vihet re se të gjitha karburantet në Shkodër kanë respektuar këtë vendim duke tregtuar naftën me 217 lekë për litër, ndërsa deri këtë të hënë. Ndërsa pritet që ditën e nesërme Bordi i Transparencës të mblidhet sërish për të caktuar vlerën me të cilën do të shitet nafta në të gjitha pikat e shitjes.
Ulja e çmimit të naftës ka sjellë rritje të numrit të mjeteve që qarkullojnë në qytet duke qenë se çmimi tashmë është më i përballueshëm. Në fakt Shkodra në momentin e rritjes së çmimit të karburantit ishte ndër qytetet e para ku çmimi i naftës u rrit në pak orë duke qenë ndër më të shtrenjtit në vend.
Po ashtu kur çmimi i naftës nisi të pësonte një ulje, karburantet në Shkodër janë ndër të fundit në rang kombëtar që ulën çmimin. Kjo bëri që për disa ditë një numër i konsiderueshëm qytetarësh shkodran t’i drejtohen Malit të Zi për t’u furnizuar duke qenë se çmimi atje ishte shumë më i lirë. Frika e gjobave nga Bordi Kombëtar i Administrimit të Karburanteve ka bërë që në Shkodër këto ditë të respektohet çmimi prej 217 lekë për litër si për naftën edhe për benzinën.