Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka prezantuar në Shkodër drejtorin e ri të policisë vendore Hamdi Fiora i cili zëvendësoi në këtë post Skënder Hitën. Ky i fundit u emëruar drejtor policie në Dibër. Po ashtu drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit ka bërë prezantimin edhe të drejtorit të ri të kufirit dhe migracionit në Shkodër Arben Joca i cili zë vendin e Krenar Muço i cili u emërua drejtor për migracionin në drejtorinë e përgjithshme të policisë së shtetit.
Ndërkohë në takimin që ka zhvilluar me drejtorët, zëvendës drejtorët dhe shefat e policisë vendore të Shkodrës kreu i policisë së shtetit ka lënë disa porosi ku në fjalën e shkurtër që ka mbajtur 3 janë pikat kryesore ku është përqëndruar dhe që duhet të zbatojë edhe drejtori i policisë vendore të Shkodrës Hamdi Fiora.
Drejtori Nano një prej problemeve kryesore sipas tij është lufta që duhet të vijojë ndaj kultivimit të bimëve narkotike në qarkun Shkodër i cili vijon të jetë ndër më shqetësuesit në vend. Kreu i policisë shtetit ka kërkuar që të asgjesohet çdo rrënjë si dhe të goditen edhe rastet e trafikimit të lëndëve narkotike. Një tjetër pikë e rëndësishme sipas drejtuesit të policisë së shtetit është edhe goditja e grupeve kriminale që për policinë e Shkodrës duhet të jetë parësore dhe sipas tij të mos ketë asnjë lloj tolerimi për të ofruar sa më shumë siguri dhe rend për qytetarët e thjeshtë.
Pika e tretë ka të bëjë me rregullin në qytetin e Shkodrës dhe qytetet e tjera të këtij qarku dhe imazhin që duhet të krijojë policia e Shkodrës për të eleminuar parregullsitë që lidhen kryesisht me parkimet dyshe si dhe probleme të tjera.
Ndërkohë pas takimit me drejtuesit dhe shefat e policisë së Shkodrë, drejtori i përgjithshëm i policisë Gledis Nano vijoi një takim më të ngushtë në praninë e drejtorit të ri të policisë së Shkodrës Hamdi Fiora dhe drejtorit të mëparshëm Skënder Hita që u transferua në Dibër duke diskutuar për afro një orë në mënyrë më të hollësishme duke i bërë të ditur kërkesat që ka kreu i ri i policisë së shtetit ku një ndër më të rëndësishmet është largimi nga radhët e policisë i efektivëve të përfshirë në grupe kriminale si dhe faktin që lidhur me porositë e lëna kërkohen rezultate pozitive sa më shpejt të jetë e mundur.