Mungesa e investimeve në lagjen “Tre Heronjtë” në Shkodër vijon të jetë shqetësuese për banorët atje. Mungesa e ujit të pijshëm është një ndër problematikat kryesore për banorët e zonës. Pavarësisht kërkesave ndaj institucioneve përgjegjëse, banorët thonë se deri më tani nuk është marrë asnjë masë për të ndërhyrë në rrjetin e ujit të pijshëm ndërsa tregojnë se detyrohen të konsumojnë ujë të ndotur pasi jo të gjithë kanë mundësi ta blejnë.
Ndërkohë hedhja e mbeturinave pranë argjinaturës së Kirit në atë zonë është kthyer në një shqetësim. Banorët kërkojnë të vendosen koshat e mbeturinave në mënyrë që të mos detyrohen t’i hedhin mbetjet në tokë.
Edhe pse janë taksapagues të rregullt të shtetit, banorëve të lagjes “ Tre Heronjtë” nuk i’u ofrohen as kushtet më minimale për jetesë. Ndërhyrja në këtë zonë është shumë e nevojshme, jo vetëm në rrjetin e ujit të pijshëm apo pastrimin e mbetjeve inerte. Por edhe sa i përket infrastrukturës dhe rrjetit elektrik, pasi vë në rrezik jetën e banorëve çdo ditë.