Një tjetër aksion i policisë së shtetit ka mundësuar lirimin e hapësirave publike në plazhin e Velipojës dhe Shëngjinit.

Në njoftimin e saj policia e shtetit bën të ditur se vijon operacionin “Plazh i lirë”, për zbatimin e detyrave të përcaktuara në planin e posaçëm të masave për parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e informalitetit, evazionit fiskal në turizëm, ndërtim, hidrokarbure, mallra të akcizës dhe krimeve të tjera mjedisore.

Efektivët kanë liruar dhe vënë në dispozicion të pushuesve rreth 4500 m2 plazh, pronë publike, të zaptuar në mënyrë të kundërligjshme nga 6 subjekte. Nga këto 3500 m2 në Shëngjin dhe 1000m2 në Velipojë. Janë sekuestruar rreth 450 shezlongë dhe 250 çadra ndërsa janë procedohen penalisht 6 shtetas, nga të cilët 4 në Shëngjin dhe 2 në Velipojë.

Policia ka proceduar përsëri për të dytën herë për “Shpërdorim detyre” shtetasin Arben Ndoj, me funksion Drejtor në Drejtorinë e Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Lezhë, për katër rastet e fundit të konstatuara në Shëngjin.

Specialistët e Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Task – Forcën të ngritur nga Prefekti i Qarkut Lezhë , proceduan penalisht 4 persona për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, konkretisht personat me inicialet M. Gj, L. P, F. N dhe GJ.GJ, pasi këta shtetas kishin zaptuar hapësirën publike (rërë) në Shëngjin, duke vendosur rreth 350 shezlongë dhe 150 çadra pa kontratë përdorimi ose qiraje me Bashkinë Lezhë.

Në Velipojë, Policia e Shkodrës e mbështetur nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, ka liruar një hapësirë publike rreth 1000 m2 të zaptuar në mënyrë të kundërligjshme nga dy shtetas, pronarë të subjekteve që ushtronin veprimtari në zonën e plazhit në fshatin Pulaj – Plazh. Gjatë operacionit, u sekuestruan rreth 100 çadra dhe 100 shezlongë, që shtetasit me inicialet XH. B. dhe E. S, kishin vendosur në mënyrë të kundërligjshme para lokaleve në administrim, duke zënë hapësirën publike dhe duke mos paguar taksat për to.

Në përfundim të veprimeve, Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, proceduan penalisht këta dy shtetas për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.

Operacioni vijon në të gjithë zonën bregdetare, për të kthyer në dispozicion të qytetarëve çdo hapësirë publike të zënë në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim përfitimin, përfundon njoftimin e saj policia e shtetit.

Artikulli paraprakSHKODËR, KAPET ME 20 KG DROGË NË MURIQAN 27 VJEÇARI
Artikulli tjetërATMOSFERA, VELIPOJA NË NETË VERE