Policia e Shkodrës dhe e Lezhës vijojnë operacionin e koduar “Plazh i lirë” për lirimin e hapësirave publike në plazhin e Velipojës dhe Shëngjinit.

Në një njoftim të bërë thuhet se lirohen nga Policia e Lezhës në plazhin në Kune, Shëngjin, rreth 8000 m2 plazh i zaptuar në mënyrë të paligjshme, si dhe sekuestrohen rreth 500 çadra e shezlongë.

Janë proceduar nga Policia e Lezhës 5 përfaqësues ligjor subjektesh për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagim taksash” dhe janë proceduar penalisht 2 Drejtorë pranë Bashkisë Lezhë për veprën penale “Shpërdorim detyre”.

Në plazhin e Velipojës policia ka liruar rreth 2500 m2 plazh i zaptuar në mënyrë të paligjshme, si dhe u sekuestruan 235 komplete (shezlongë + çadra + karrige). Policia bën me dije se janë proceduar nga Policia e Shkodrës dy pronarë subjektesh që kishin zaptuar hapësirën publike në plazh.

Sipas policisë në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e posaçëm të masave “Për parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e informalitetit, evazionit fiskal në turizëm, ndërtim, hidrokarbure, mallra të akcizës dhe krimeve të tjera mjedisore, shërbimet policore të Komisariatit të Policisë Lezhë në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, kanë ushtruar kontrolle në subjekte që ushtrojnë aktivitet biznesi në zonën e bregdetit në plazh, në Kune, Shëngjin.

Si rezultat, janë konstatuar 5 subjekte që ushtronin aktivitet të kundërligjshëm në shfrytëzimin e hapësirës publike, pa paguar detyrimet financiare, si dhe pa u pajisur me kontratë qiraje për përdorim nga Bashkia Lezhë.

Në përfundim të veprimeve hetimore, janë proceduar penalisht shtetas emrat e të cilëve jepen me iniciale për veprat penale ” Fshehja e të ardhurave” dhe ” Mospagim i taksave”. Gjithashtu, është proceduar tashmë për të tretën herë shtetasi Arben Ndoj, me detyrë Drejtor i Taksave dhe Tarifave Vendore pranë Bashkisë Lezhë, pasi ka lejuar këto subjekte të ushtronin aktivitetet në mënyrë të kundërligjshme, si dhe Drejtori i Drejtorisë së Planifikimit të Territorit pranë Bashkisë Lezhë, pasi në kundërshtim me ligjin ka lëshuar leje ndërtimi në zonë të mbrojtur.

Aksioni ka vijuar edhe në Velipojë, ku janë liruar 2500 m2, plazh i zënë në mënyrë të kundëligjshme nga dy subjekte. Gjatë aksionit u sekuestruan 235 komplete (shezlongë + karrige + çadër plazhi), si dhe u proceduan penalisht shtetasit me inicialet L.M. dhe SH.N., pasi nga kontrolli i ushtruar në subjektet e tyre në zonën e Plazhit në fshatin Pulaj-Plazh, rezultoi se këta shtetas kishin zënë hapësirë publike rreth 2500 m2, duke vendosur përkatësisht 135 komplete shezlongë shtetasi L.M. dhe 100 komplete shezlognë shtetasja SH.N., të cilat u sekuestruan nga Policia. Operacioni i policisë vijon në gjithë vijën bregdetare për lirimin e hapësirave publike.

Artikulli paraprakLEZHË, SULMOHET ME LËNDË PLASËSE BANESA E ISH-POLICIT
Artikulli tjetërKRYETARI I KOMUNITETIT MUSLIMAN URON KURBAN BAJRAMIN