Për herë të parë të gjitha hapësirat publike në pedonalen “Kolë Idromeno” në Shkodër, një prej zonave muzeuale më të rëndësishme janë liruar plotësisht. Bashkia Shkodër ndërmorri një aksion përmes Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, policisë bashkiake me mbështetjen e policisë së shtetit duke liruar hapësirat që subjektet kishin zënë prej vitesh në pedonale.
Drejtori i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit në bashkinë Shkodër Gentian Ibro deklaroi se janë 17 subjekte që janë përfshirë në lirimin e hapësirave publike në pedonalen “Kolë Idromeno”.
Drejtori Ibro shprehet se aksioni i lirimit të hapësirave publike do vijojë edhe në pikën turistike të Shirokës në liqenin e Shkodrës por edhe në gjithë rrugët e tjera të rëndësishme të qytetit.
Kjo pedonale u ndërtua në fillim vitet 1900 kur arkitekti i njohur Kolë Idromeno erdhi nga Italia dhe projektoi këtë rrugë në qendër të qytetit me ndërtesa të stilit venecian duke qenë një trashëgimi e pasur kulturore deri në ditët e sotme.
Në vitin 2009 pedonalja “Kolë Idromeno” u rikonstruktua duke i dhënë një pamje krejt tjetër ndërsa në vitin 2012 iu nënshtrua një ndërhyrje në fasada dhe në vazhdimësi ka patur edhe disa investime të tjera. Lirimi i hapësirave publike rikthen në identitet këtë pedonale e cila ka vlera historike, kulturore dhe arkitektonike.