Krahas dëmtimit të vazhdueshëm, lulishteve të pakta publike në qytetin e Shkodrës u mungojnë këndet e lojrave.

E tillë është edhe lulishtja kryesore e qytetit, ajo pranë sheshit para Bashkisë Shkodër, ku ato pak mundësi që deri para pak vitresh kishin fëmijët për të luajtuar, aktualisht nuk janë prezente. Lodrat e vendosura në hapësira publike në këtë lulishte janë dëmtuar prej kohësh, ndërsa riparimi i tyre nuk dihet se kur do të ndodhë.

Të vetmit që japin pak mundësi argëtimi për fëmijët që në orët e paradites apo pasdites frekuentojnë këtë lulishte, janë subjektet private, të cilët kundrejt pagesave ofrojnë argëtim për fëmijët. Kësisoj, ajo që bashkia ofron për fëmijët e shumtë që frekuentojnë këtë lulishte publike është e pakët. Nga ana tjetër, në këtë hapësirë duket qartë dëmtimi nga vetë qytetarët.

Shumë pllaka rrethuese të shatërvanit janë thyer, ndërsa muri rrethues është dëmtuar seriozisht. Ai janë lyer me bojë në pjesën më të madhe të tij. Së fundmi, ky ambient ka nevojë emergjente për ndërhyrje edhe pse shpeshherë punimet e kryera janë dëmtuar nga personat që frekuentojnë këtë hapësirë të gjelbër të qytetit.

Kjo lulishte publike që është kryesorja në qytetin e Shkodrës u rikonstruktua në vitin 2009. Që nga ajo kohë nuk ka patur një investim tjetër serioz për këndin e lojrave apo përmirësimin e kësaj hapësire publike.

Artikulli paraprakZJARRET NË ZONA TË MBROJTURA, PA DËME EKONOMIKE
Artikulli tjetërPORTESTA KUNDËR EKSTARDIMIT TË MORINËS