Dëmet në mjediset publike në qytetin e Shkodrës vetëm sa vijnë dhe shtohen. tashmë këto raste po kthehen thuajse të përditshme në rrugët e qytetit. Pjesë e këtyre dëmeve nuk janë vetëm periferitë ku nuk ka shumë lëvizje dhe është më e lehtë por edhe në qendër të qyetit.
Kështu pasditen e 29 nëntorit një mjet është futur në pedonale dhe papritur ka dëmtuar një prej shtyllave të ndriçimit. Ngjarja ka ndodhur tek pedonalja afër godinës së bashkisë Shkodër. Ka qenë 15:20 kur ka ndodhur ngjarja.
Një makinë është futur në pedonale dhe papritur drejtuesi me mjetin e tij ka goditur shtyllën e ndriçimit duke e rrëzuar në tokë. Menjëherë pas dëmtimit të kësaj shtylle ndriçimi në vendngjarje ka mbërritur policia vendore e Shkodrës duke bërë hetimet paraprake për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Tashmë këto raste janë gjithnjë e më të shumta si në pedonale por edhe zona të tjera të qytetit duke kushtuar jo pak nga ana financiare për bashkinë Shkodër.
Disa herë drejtues të shërbimeve publike, përgjegjës por edhe vetë kryetarja e bashkisë Voltana Ademi kanë bërë apel për shmangien e këtyre rasteve dhe ruajtjen e mjediseve publike sërish situata mbetet problematike në këtë aspekt.
Po ashtu drejtuesit vendor disa herë kanë kërkuar që autorët që sjellin dëme publike të identifikohen nga policia si dhe të merren masa ndaj tyre duke i detyruar që të paguajnë dëmin që kanë bërë siç ndodh në disa prej shteteve të zhvilluara.
Në pjesën më të madhe të rasteve mbesin pa autor ose edhe kur identifikohen nuk u kërkohet që të shlyejnë dëmin që kanë shkarkuar. Të gjithë këto dëme mbulohen nga bashkia Shkodër dhe rrjedhimisht nga taksat e qytetarëve të tjerë.