Hapësirat e zëna nga automjetet e braktisura apo prej atyre që kanë dalë në shitje, duket se nuk po i rikthehen qytetarëve.Një fenomen i tillë ka vite që është prezent në qytetin e Shkodrës ku me dhjetra automjete zënë më kot hapësirat publike. Ndaj ata që kanë një automjet nuk dinë se ku ta parkojnë. Kjo është e vërtetë në fakt pasi në Shkodër është shumë e vështirë për të gjetur një vend parkimi. Hapësirat publike janë të pakta aq më tepër kur ato janë zënë nga automjetet që shiten.

Gjatë një vëzhgimi që Star Plus bëri në qytet vërehet se në shumë rruge automjetet me mbishkrimin shitet kanë zënë hapësirat publike.Tregtarët kanë gjetur si rrugën më të mirë dhe e shikojnë me leverdi mundësinë e parkimit te makinave për ti ekspozuar nëpër rrugë.Edhe makinat që janë jashtë përdorimit dhe qëndrojnë në parkim publik janë fenomen më vete.

Përgjegjësia bie direkt mbi policinë rrugore dhe atë bashkiake të cilat duhet të shohin këtë fenomen dhe jo të merren me qytetarin e thjeshtë i cili në shumë raste ndëshkohet padrejtësisht. Këto dy struktura me njëra tjetrën duhet të ndërmarrin aksion për largimin nga rrugët publike të të gjithë automjeteve që zënë hapësirat e parkimeve me njoftimin për tu shitur.

Ky aksion do të ishte shumë efikas, pasi cdo makinë e parkuar që nuk është në përdorim ose është e shpallur në shitje, duhet te zhvendoset me karrotrec drejt pikave të bllokimit dhe kjo do të shërbente për lirimin e këtyre hapësirave që po i zihen cdo ditë qytetarëve.Zënia e hapësirave publike është shndërruar në një problem kryesor për qytetarët shkodranë.

Artikulli paraprakSHKODËR, TË RINJTË TË INTERESUAR PËR SHKOLLËN INDUSTRIALE
Artikulli tjetërINFO PLUS – 16/10/2019