Maskat kanë goditur sërish në qytetin e Shkodrës.

Tre ditë më parë 2 persona të maskuar kanë hyrë në një shtëpi në lagjen “Naim Gjylbegu” në qytetin e Shkodrës. Në shtëpi ka qenë vetëm e zonja e shtëpisë, shtetasja me inicialet S.B. E moshuara ka hapur derën e shtëpisë duke menduar se është një nga personat e afërm dhe 2 personat e maskuar kanë arritur që të grabisin një shumë të konsiderueshme prej rreth 30 milion lekësh të vjetër. Kjo ngjarje është konfirmuar për “Star Plus” nga zyrat e shtypit në drejtorinë vendore të policisë së Shkodrës. Edhe pse ka ndodhur prej ditësh policia nuk ka bërë njoftimin e duhur siç veprohet zakonisht në raste të tilla duke tentuar që ta mbulojë si ngjarje. Burime policore bëjnë me dije gjithashtu se paratë që janë grabitur janë të një tregtari të njohur në qytetin e Shkodrës, shtetasi me inicialet B.B. Ky person është marrë në pyetje bashkë nënën e tij dhe kanë deklaruar në policinë e Shkodrës se kanë patur në shtëpi rreth 30 milion lekë të vjetër që personat e maskuar i kanë grabitur dhe janë larguar në drejtim të paditur. Policia ka qenë në vendin e ngjarjes tre ditë më parë sapo është marrë njoftimi për grabitjen e ndodhur dhe ka konstatuar hyrjen me forcë në banesën e të moshuarës e cila ka treguar se kanë qenë dy shtetas të maskuar. Forcat e policisë janë vënë në kërkim për të identifikuar dhe kapur këta dy shtetas por deri më tani nuk ka asnjë pistë hetimi. Dy personat nuk janë identifikuar ende dhe ngjarja e ndodhur ka mbetur pa autor. Në këtë mënyrë grabitjet me maska pas ngjarjeve të ndodhur në njësinë Rrethina apo edhe tentative në banesën e biznesmenit Sabah Rrashketa bashkë me këtë të fundit, po kthehen në një shqetësim serioz për qytetarët ashtu siç edhe tentativa e policisë së Shkodrës për t’i fshehur këto grabitje.

Artikulli paraprakSHFAQEN MBETJET INERTE TEK VARREZAT E DËSHMORËVE
Artikulli tjetërSHKOLLA “PRENKË JAKOVA” KONCERT ME FËMIJËT E KOPSHTEVE