Partia Demokratike e Shkodrës ka përfunduar procesin e votimit për 4 nënkryetarët e saj. Pas votimit nga ana e kryesisë së PD Shkodër fitues sipas 4 ZAZ-ve përkatëse janë shpallur Ndoc Ashta që fitoi përballë Nesti Kirit, Irena Shestani që fitoi përballë Besnik Kastratit, Bashkim Rroji që fitoi përballë Arian Peraj dhe Marin Pemaj që fitoi përballë Arben Gjuraj.

Në fjalën e tij në fillim të procesit të votimit për nënkryetarët e degës së PD Shkodër, kryetari i degës Xhevdet Amuli tha se partia demokratike nuk ka asnjë garë brenda vetes së saj dhe se e gjithë lufta është për të larguar kryeministrin Rama dhe qeverinë e tij.

Pas zgjedhjes së kryetarit Xhevdet Amuli pak muaj më parë dhe kryesisë së re tashmë ishte radha e nënkryetarëve për t’u votuar. Sipas udhëzimit që ka mbërritur kohë më parë nga qendra për çdo zonë zgjedhore nga 4 që janë në Shkodër përfaqësohen me një nënkryetar dege. Nga ajo që mësohet është se PD-ja Shkodër do të ketë në total 6 nënkryetar dege.

Përveç Ndoc Ashtës, Irena Shestanit, Bahkim Rrojit dhe Marin Pemaj që u votuan, nënkryetar të PD Shkodër do të jenë kryetarja e bashkisë Shkodër Voltana Ademi dhe kryetarja e këshillit të qarkut Shkodër Greta Bardeli. Të dy drejtueset vendore janë të koptuara si pjesë e kryesisë, pra të vendosura direkt pa patur nevojë që të votohen.

Me përzgjedhjen e nënkryetarëve të PD pas votimit për kryetar, grupseksione dhe seksione që përbëjnë edhe kryesinë përfundon ky proces në degën e PD Shkodër duke patur kështu të gjitha strukturat e duhura. Partia Demokratike e Shkodrës tashmë ka nisur punën edhe për ngritjen e shtabeve elektorale për zgjedhjet vendore kurdo që të mbahen duke qenë se PD pretendon se me 30 qershor s’do të ketë zgjedhje.

Këto shtabe elektorale janë të ngritura nga zgjedhjet e kaluara por do të punohet për t’i rifreskuar edhe njëherë dhe për të qenë të gatshme për zgjedhjet vendore. Partia Demokratike në këtë mënyrë po mendon edhe për protestat që po zhvillohen por edhe për fushatën elektorale edhe pse deri më tani demokratët nuk kanë asnjë kandidat për këshillat bashkiak apo kandidat të zyrtarizuar për kryetar të bashkive.

Artikulli paraprakSHKODËR, EKSPOZITË E STUDENTËVE TË DEGËS SË ARTEVE
Artikulli tjetërRAMA: DIKUR MJEKËT DHE INFERMIERËT I PUNËSONTE PARTIA NDËRSA SOT MERITOKRACIA