Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha prezantoi në Shkodër drejtorin e ri të policisë vendore Fatmir Lleshi. I pranishëm në këtë prezantim zyrtar ishte edhe drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit Ilir Proda. Pasi u përzgjodh si pjesë e listës fituese në konkursin e zhvilluar disa ditë më parë, drejtori i përgjithshëm Proda vendosi që të emërojë në Shkodër Fatmir Lleshin deri më tani drejtor menaxhimi dhe koordinimi në policinë e shtetit. Lleshi edhe më përpara ka mbajtur mbajtur poste të rëndësishme teksa ka qenë shef komisariati nr 4 në Tiranë apo drejtor i policisë vendore të Beratit. Tashmë do të drejtojë policinë e Shkodrës pas garës së zhvilluar ndërsa zëvendëson në këtë post Edmond Sulaj. Ky i fundit u emërua në tetorin e vitit 2023 dhe pas afro një viti që qëndroi në Shkodër do të ketë një pozicion të rëndësishëm në policinë e shtetit.
Sulaj do të jetë drejtori i ri i policisë kufitare për gjithë Shqipërinë. Ndërkohë gjatë prezantimit të kreut të ri të policisë së Shkodrës Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha kërkoi nga të gjithë drejtuesit por edhe shefat e sektorëve dhe çdo efektiv që të përmirësojnë nivelin e punës. “Është punuar mirë” tha ministri por kjo punë e bërë deri tani kërkon përmirësim të mëtejshëm. Ministri vendosi theksin tek goditja ndaj krimit të organizuar, grupeve kriminale në Shkodër dhe individëve kriminal të rrezikshëm për të mos toleruar dhe për t’i luftuar me çdo kusht.
Ministri kërkoi rend, siguri e qetësi publike në Shkodër dhe për këtë kërkoi një angazhim edhe më të madh të policisë. Hoxha u ndal edhe tek ngjarja e rëndë e ndodhur në Shkodër me katër viktima duke thënë se duhet bërë çdo gjë që ajo vrasje të zbardhet për të ndryshuar situatën dhe për të vënë përpara përgjegjësisë autorët që kryen atë masakër. Lufta ndaj kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike në Shkodër mbetet një tjetër pikë e rëndësishme e cila kërkon më shumë përmirësim për goditjen e grupeve kriminale që merren me këtë aktivitet të paligjshëm ndërsa kërkoi edhe ndërhyrje në qarkullimin rrugor si dhe një menaxhim të mirë të festave të fundvitit të cilat po afrojnë gjithnjë e më shumë dhe Shkodra mund të jetë një prej qyteteve më të vizituara gjatë kësaj periudhe. Me ardhjen e drejtorit të ri të policisë vendore të Shkodrës Fatmir Lleshaj pritet të shihet nëse do të ketë apo jo ndryshime në radhët e drejtuesve dhe sektorëve të tjerë.