Duket sikur koha në Shkodër ka ndaluar. Qendra e qytetit është pushtuar nga të paktën 30 makina më e fundit e prodhuar para vitit 1940.

“Maja e Adriatikut” është turi turistik i besnikëve të mjeteve klasike që janë bashkuar nga shumë shtete të Europës në një udhëtim 14 ditor duke përfshirë edhe Shqipërinë. Morgan, Bentley, Kadillak, Rolls Royes, Alvis, Vauxhëll, Lagonda janë disa prej llojeve të makinave që u ndalën tek pedonalja në afërsi të hotel Colosseo.

Gjatë gjithë ditës kalimtarët e shumtë shfrytëzuan rastin duke bërë foto dhe video me këto mjete të rralla të cilat i kanë rezistuar kohës edhe pse më e vjetra është e vitit 1916, 103-vjeçare.

Jan Altena, është shefi i një servisi të makinave klasike në Holandë i cili i ka shoqëruar 30 makinat e veçanta në këtë rrugëtim të gjatë. Ai tregon se janë mjete të veçanta dhe më e shtrenjta shkon deri në 1 milion euro ndërsa thotë se janë më të sigurta se makinat moderne elektronike.

“Janë origjinale. Unë jam nga Holanda. Tani nga këtu do të shkojmë në Greqi. Kemi udhëtuar përmes Shqipërisë dhe njerëzit këtu të ndihmojnë shumë. Në Mal të ZI kishim shumë probleme ndërsa kur erdhëm në Shqipëri jo sepse njerëzit këtu të ndihmojnë dhe janë shumë miqësor.

Tani ne po kalojmë me këto mjete në 5 shtete dhe na duhen edhe 7 ditë. Shumica vijnë nga Italia, Holanda, Anglia, Gjermania, Belgjika dhe Zvicra. Emri i këtij turi quhet Maja e Adriatikut.

Kjo zhvillohet nga organizata të ndryshme të shteteve me njerëz që kanë dëshirë t’i bashkohen këtij udhëtimi. Këto që shihni janë makina të para luftës, të prodhuara të gjitha para viteve 1940. Janë mjete të kushtueshme dhe më e shtrenjta shkon rreht 1 milion euro.

Makina më e vjetër i përket 1916 dhe ajo bën gjiro rreth botës. Janë makina shumë të forta dhe ne kemi patur më shumë probleme me makinat moderne se sa me këto të vjetrat sepse s’kanë gjëra elektronike.

Makinat e reja në rast të një difektI të lënë në rrugë ndërsa me këto që kemi ne mund t’i riparosh kudo dhe bën gjiro në gjithë botën ndërsa makinat moderne për mua janë më të vështira edhe pse duket ndryshe”.

Migel Casias nga Spanja thotë se nganjëherë si shkak i rrugëve jo aq të përshtatshme është e vështirë të udhëtosh me këto mjete klasike të para 80-90 viteve.

“Unë jam nga Spanja, Barcelona dhe jemi këtu me tri makina, një Rolls Roys, Bentley dhe një kadillak dhe kemi bërë përafërsisht 3 mijë kilometra. Do shkojmë në Maqedoni, Igumenica, në Greqi, Itali dhe më pas në shtëpi.

Na duhen në total 14 ditë për të kryer këtë udhëtim. Është pak e vështirë nga rrugët ku udhëtojmë ndonjëherë por është e këndshme. Shqipëria ka njerëz shumë të mirë dhe që na ndihmuan, një vend i bukur dhe miqësor”
Hendrik Sannenberg është nga Holanda ndërsa ai posedon në makinë të vitit 1938 që për nga ndërtimi është e veçantë.

Të udhëtosh me këto mjete nganjëherë është një sfidë sepse shkaktojnë probleme të ndryshme si në këtë rast kur Sannenberg u desh të gjente një servis për të riparuar marmitën.

“Kjo është një makinë e vitit 1938, është një Bentley dhe është e veçantë sa i përket ndërtimit të saj sidomos në pjesën e sipërme e cila është posaçërisht për atë kohë kur u prodhua dhe është akoma një makinë origjinale me 6 cilindra.

Është shumë e thjeshtë, këtë mund ta nisë edhe gruaja ime , është shumë më e thjeshtë se Bentley i madh që kemi këtu. Sa i përket makinave të reja, e kam një në shtëpinë time por të nisësh këtë makinë është shumë qejf. Është si të marrësh një pushim të gjatë për rreth 2 javë.

Është shumë këndshëm ta nisësh këtë makinë sepse më përpara isha ushtarak dhe tani jam shofer. Makina ime ka një problem të vogël me marmitën dhe duhet që nesër ta rregullojmë në ndonjë servis por është një gjë e vogël jo shqetësuese”.

Një gjiro me këto mjete klasike që në Shqipëri janë të rralla është një përjetim fantastik sidomos për ata që janë të apasionuar apo kanë nostalgji për të tilla makina. Shkodranët gjatë një dite patën fatin t’i shijojnë.

Artikulli paraprakSHKODËR, TUFA: AKADEMIA E SHKENCAVE E VDEKUR
Artikulli tjetërSHKODËR, “BAND ADRIATICA” SJELL RITMET E MESDHEUT