Muzeu kombëtar i fotografisë “Marubi” në vitin 2020 do të ketë në total 5 ekspozita të ndryshme të cilat janë të konceptuara në forma tërheqëse për artëdashësit. Një gjë të tillë e bëri të ditur drejtori i këtij muzeu në Shkodër Luçian Bedeni i cili tha gjithashtu se 2019 ishte viti më i sukseshëm.
Gjatë 2020-ës për muzeun “Marubi” ekspozitat nuk do të jenë të vetmet sepse të rëndësishme janë edhe puntoritë dhe master klas me artistë të huaj dhe në bashkëpunim me muze të njohur ndërkombëtar.
Për këtë vit muzeu kombëtar i fotografisë “Marubi” ka në prioritet albumet e ekspozitave, rifreskimin dhe plotësimin e mëtejshëm të faqes së internetit, botimin e një reviste shkencore shoqëruar edhe me një konferencë shkencore dy ditore por edhe përfundimin e rinovimit të konservimit të materialeve arkivore. Gjatë 2019-ës muzeu “Marubi” ka mbledhur 5 milion lekë të ardhura, më shumë se çdo vit tjetër çka tregon edhe për rritjen e numrit të vizitorëve.