Është ndarë nga jeta në moshë të re prof. as. dr Nevila Dibra, zv/dekane e Fakultetit të Shkencave Shoqërore të univeristetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Prej kohësh ajo vuante nga një sëmundje e rëndë e cila rezultoi fatale për jetën. Lajmin e ka bërë të ditur rektorja Suzana Golemi, ndërsa ka vlerësuar kontributin që pedagogia Nevila Dibra ka dhënë në universitetin e Shkodrës.

Prof.as.dr Nevila Dibra ka qenë pjesë e Departamentit të Gjeografisë të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” që nga viti 1993. Ajo ka dhënë kontributin e saj si kërkuese shkencore në fushën e gjeografisë, turizmit dhe mjedisit me një sërë artikujsh, librash shkencorë, organizime dhe pjesëmarrje në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare.

Ajo ka kryer me devotshmëri funksione të ndryshme si përgjegjëse e departamentit të Gjeografisë në vitet 2012 – 2020, anëtare e Senatit Akademik të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” për shumë vite, dhe është dalluar për kontributin e lartë dhe energjinë e saj pozitive për zhvillimin e Fakultetit të Shkencave Shoqërore Universitetin e Shkodrës. Studentët do ta kujtojnë prof. as. dr. Nevila Dibra si lektoren e aftë dhe dashamirëse; kolegët si pedagogen e përkushtuar; miqtë si shoqen unike.

I shprehim ngushëllimet më të thella familjes dhe të gjithë të afërmve për këtë humbje të madhe e të parakohshme!
Qoftë i përjetshëm kujtimi i saj!
Rektori
Prof. Dr. Suzana Golemi

Ceremonia e lamtumirës dhe homazhet në nderim të prof. as. dr Nevila Dibra do të zhvillohen me datë 28/06/ 2022 në ora 10.30-11.30, pranë hollit të auditorit A3 në Godinën e Rektoratit të Universitetit të Shkodrës. Star Plus I shpreh ngushëllimet familjarëve dhe të afërmevë për këtë humbje”

 

Artikulli paraprakQYTETARËT: PAGUAJMË DYFISH, USHQEHEMI MË PAK
Artikulli tjetërKARBURANT, MAKINË DHE MALLRA KONTRABANDË, BIEN NË “GRACKËN” E POLICISË TRE INSPEKTORË TË KORRUPTUAR