Policia vendore e Shkodrës ka ndaluar një 21 vjeçar i cili është i dyshuar për trafikimin e 97 kilogram marijuanë. 21 vjeçari Emiljano Hysa është shpallur në kërkim që në 11 prill të 2018-ës dhe u ndalua nga policia në kuadër të kapjes së personave të shpallur në kërkim. Policia vendore e Shkodrës bën me dije se në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit Emiljano Hysa 21 vjeç, banues në Koplik, Malësi e Madhe.
Ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Apelit Shkodër me vendim Nr.98 datë 08.05.2018, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, i dyshuar për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim dhe “Dhuna në familje”. Shtetasi Emiljano Hysa dyshohet se në bashkëpunim me një shtetas tjetër të shpallur në kërkim, më datë 11.04.2018 kanë tentuar të trafikojnë një sasi lënde narkotike prej 97 kg marijuanë nëpërmjet Liqenit të Shkodrës, e cila është kapur nga policia Malazeze në bregun e liqenit të Shkodrës në afërsi të Pikës së Kalimit Kufitar në Hani e Hotit, në bashkëpunim me Policinë Vendore të Shkodrës dhe atë Kufitare.
Liqeni i Shkodrës është kthyer në një pikë problematike bashkë me pikat e kalimit kufitar. Me 6 qershor policia malazeze arrestoi tre shtetas nga Podgorica të cilët dyshohet se kanë trafikuar 258 kg canabis sattiva nga Shqipëria drej Malit të Zi. Droga u sekuestrua në Tuz, aty ku u arrestuar tre malazezët. Edhe më 23 maj policia malazeze ndaloi dy persona të tjerë të dyshuar se kanë krijuar një organizatë kriminale për trafikimin dhe shpërndarjen e drogës, të dyshuar për 600 kg lëndë narkotike canabiss sativa.
Më 15 maj të këtij viti një tjetër sasi lënde narkotike u sekuestrua nga policia malazeze në afërsi të lumit Buna në territorin e komunës së Ulqinit teksa u gjetën 205 kg lëndë narkotike canabis sattiva rreth 130 metër larg bregut të lumit por kësaj radhe pa autor. Pavarësisht kontrolleve në pikat kufitare mes Shqipërisë dhe Malit të Zi apo në liqenin e Shkodrës sërish trafikimi i drogës mbetet një shqetësim serioz për të dy shtetet.