Bashkia Shkodër ka nderuar 9 sportistët e shekullit dhe trajnerin më të mirë në sportin e peshëngritjes në kuadër të 100-vjetorit të themelimit të klubit Vllaznia.
Në fakt peshëngritja është sporti më i suksesshëm duke qenë se emra të mëdhenj kanë sjellë medalje botërore dhe europiane për Shkodrën dhe Shqipërinë. 9 peshëngritësit më të mirë dhe trajneri u vlerësuan në një ceremoni të zhvilluar në zyrën e kryetares së bashkisë Shkodër Voltana Ademi.
Peshëngrittësit që u vlerësuan nga bashkia Shkodër si sportistët e shekullit të këtij sportit janë emra si Faruk Kalleshi, Asim Belinova, Erkand Qerimaj, Dedë Dekaj, Genc Barkiqi, Artur Lagja, Nikolin Qyrsaqi, Shtjefën Thaçi dhe Isa Bala. Trajneri më i mirë u vlerësua Petrit Hoxha. Disa prej tyre tregojnë emocionet.
Ish peshëngritësi Shtjefën Thaçi e mori këtë vlerësim pas vdekjes ndërsa familjarët përcollën një mesazh.
Këta emra të mëdhenj të peshëngritjes kanë dhënë një kontribut të çmuar duke sjellë medalje të pafundme dhe duke ngritur lart emrin e qytetit të Shkodrës në gjithë botën ndaj edhe meritojnë vlerësimin maksimal.