Reshjet e borës në zonat malore të qarkut Shkodër kanë pushuar. Pavarësisht se reshjet e borës janë ndërprerë ajo që mbetet problem janë temperaturat e ulëta në fshatrat e Dukagjinit, Vermosh apo Pukë e Fushë Arrës
Emergjencat civile raportojnë se moti është i kthjellët dhe se akset rrugore për momentin në qarkun Shkodër janë të hapura. Kështu segmentet që një ditë më parë ishin më problematike, Hani Hotit-Tamarë, Tamarë-Vermosh dhe Bogë-Theth janë të kryposura dhe të pastruara nga bora ndaj qarkullimi atyre bëhet normalisht por natyrshëm duhet përdorimi i gomave dimërore. Ajo që mbetet problem për njësitë administrative Shalë dhe Shosh, pjesë e bashkisë Shkodër është mungesa e energjisë elektrike. Edhe në disa fshatra të thellë të Malësisë së Madhe ka probleme me energjinë elektrike ndërsa akset rrugore atje janë të hapura të gjitha. Në bashkinë Vau Dejës, në njësitë administrative Temal dhe Shllak trashësia e borës arrin deri në 40 cm dhe ka mungesë të energjisë elektrike në disa fshtra. Në bashkinë Pukë akset rrugore janë të hapura ndërsa vijojnë temperaturat e ulëta. Më problematike mbetet bashkia Fushë Arrës ku akset e zonave rurale për momentin janë të bllokuara ndërsa kanë mbërritur dy mjete për përballimin e situatës të mundësuara nga Ministria e Mbrojtjes. Fillimisht do të pastrohet rruga e Iballës dhe më pas do të fillojë puna për pastrimin e rrugëve rurale që lidhin qendrat e njësive me fshatrat. Drejtoria vendore e policisë Shkodër dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar për zonën e veriut kërkojnë që shoferët të përdorin goma dimërore dhe zinxhirë në akset ku ka ngrica si dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore. OSHEE nga ana e saj bën të ditur se janë stakuar fidrat në Ças dhe Velipojë, Gjegjan, Fushë Arrës, Koman, Shalë, Shosh, Rrenc, Gajtan, Sheldi dhe Bardhaj për shkak të rrjetit të amortizuar dhe këto zona ndodhen pa energji elektrike deri në përmirësim të situatës.