Bashkia Shkodër pretendon se të paktën 70 persona janë hequr nga skema e ndihmës ekonomike për muajt shkurt mars të këtij viti edhe pse në sistemin e shërbimit social kanë patur të njëjtën sasi pikësh. Këtë shqetësim e shprehu përgjegjësi i ndihmës ekonomike në bashkinë Shkodër Shkëlzen Mustafaraj gjatë mbledhjes së këshillit bashkiak.
Gjatë diskutimeve të lirë këshilltari Ali Tula foli për pronat e bashkisë duke thënë se shkollat kanë vërtetim pronësie përgjysëm me individë apo se institucione të rëndësishme janë pa çertefikatë pronësie.
Këshilltarja Greta Bardeli ngriti shqetësimin e saj për mungesën e informacionit nga Autoriteti Rrugor Shqiptar lidhur me miratimin e gjurmës të korridorit adriatiko-jonian.
Gjatë mbledhjes së këshillit bashkiak të Shkodrës, anëtarët votuan me 30 vota pro dhe një kundër për lënien e mandatit të tre këshilltarëve Mirjan Bleta, Gjovalin Troja dhe Valentinë Vuksani pasi prej 6 muajsh s’janë
paraqitur në mbledhje ndërsa u miratuan pikat e tjera të rendit të ditës si ndihma ekonomike, dhënia e paaftësisë dhe invaliditetit, disa vendime që lidhen me buxhetin dhe propozimi për vendosjen e emrit Pjetër Gjini një rruge në Shkodër.