Djegia e automjeteve të ndryshme në Shkodër është kthyer në një shqetësim. Numri i makinave që digjen në mënyrë të qëllimshme është shtuar ndjeshëm. Në 25 ditët e fundit në Shkodër numërohen gjithsej 8 automjete të djegura në mënyrë të qëllimshme nga persona ende të paidentifikuar dy prej të cilave i përkasin dy efektivëve të policisë vendore të Shkodrës.
Në orët e para të mëngjesit të 20 prillit të këtij viti u dogjën automjetet e shtetasve Mikel Kopsaj dhe Gabriel Kola të cilat ishin të parkuara afër banesave të tyre në oborrin e një komshie në fshatin Bardhaj të njësisë Rrethina. Autorët e zjarrëvënies të këtyre dy mjeteve nuk janë identifikuar ende ndërsa pronarët e makinave të djegura janë shprehur se nuk kanë ndonjë konflikt dhe nuk e kanë idenë se kush janë autorët. 8 ditë më pas, më 28 prill në lagjen “Daniel Matlija” në Shkodër u dogj automjeti i shtetasit Dritan Turhani, 53 vjeç me detyrë punonjës policie në policinë vendore të Shkodrës. Edhe në këtë rast autori nuk është indentifikuar ndërsa për këtë djegie të qëllimshme efektivi Turhani është shprehur se nuk e ka idenë se kush janë autorët dhe se nuk ka patur ndonjë konflikt apo presion për shkak të punës si polic. Pas kësaj ngjarje, mëngjesi i 7 majit në Shkodër u zbardh me katër automjete të tjera të djegura gjithashtu në mënyrë të qëllimshme. Objektiv në këtë rast ishte automjeti audi A6 që e kishte në përdorim shtetasi Gazmend Dushku, i dyshuar në 2016 për veprën penale tentativë vrasjeje. Ndërkohë përveç audit u dogjën edhe 3 mjete të tjera që ishin të parkuara afër. Edhe në këtë rast kemi të bëjmë me djegie të qëllimshme ndërsa sërish autorët nuk janë zbuluar ndërsa pronarët e automjeteve gjithashtu kanë mohuar se kanë patur konflikte dhe se nuk e kanë idenë se kush mund të kenë qenë autorët. Rasti i fundit është mëngjesin e djeshëm më 14 maj kur rreth orës 4:00 të mëngjesit u dogj automjeti i efektivit të policisë së Shkodrës Sokol Kroni. Fouristrada ishte e parkuar pranë shtëpisë dhe nga kamerat e sigurisë një person afrohet dhe i vë flakën madje duke rrezikuar edhe veten.
Edhe në këtë rast polici Kroni deklaroi se nuk ka konflikte ndërsa kolegët e tij nuk e kanë identifikuar autorin. Identifikimi i autorëve të djegieve të makinave mbetet i vështirë sepse ata veprojnë në orët e para të mëngjesit në errësirë dhe mbajnë kapuçë, kapele apo maska.