Studentët e universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër kësaj here kanë vendosur që ta zhvillojnë ndryshe protestën e tyre. Edhe në ditën e sotme ashtu siç kanë paralajmëruar bojkoti i procesit mësimor do të vijojë, bojkot që do jetë pa afat.
Përveç këtij bojkoti studentët që janë përfshirë edhe në protesta gjatë ditës së sotme kanë shkuar në fakultete të ndryshme të universitetit “Luigj Gurakuqi” duke i bërë thirrje studentëve të tjerë që të mos zhvillojnë mësim dhe të bojkotojnë procesin mësimor.
Tentativa e studentëve që u futën në fakultete për të protestuar dhe për të nxitur të tjerët që të dalin nga sallat e auditorëve vazhdoi edhe më tutje me thirrjet TURP, TURP drejtuar studentëve të tjerë që vijon normalisht procesin mësimor.
Një ditë më parë rektorati i universitetit “Luigj Gurakuqi” përmes një njoftimi për shtyp i bëri thirrje studentëve që të rikthehen në auditore për të vijuar normalisht procesin mësimor pasi situata është përmirësuar dhe se po shkohet drejt zgjidhjeve të përbashkëta dhe se ofrohet një proces mësimor dinamik.
Pas kësaj thirrje që erdhi përmes deklaratës për shtyp të rektoratit drejtuar studentëve të universitetit të Shkodrës, një pjesë e tyre që kanë protestuar edhe më përpara zgjodhën që të vijojnë bojkotin e madje të futen edhe në fakultete të ndryshme duke protestuar.