Rrugët dhe shatërvani në qytetin e Shkodrës ishin të mbushura plot me nëna dhe fëmijë të cilët shfrytëzuan në maksimum orarin e lejuar dhe motin e mirë me diell, ndryshe nga e shtuna që u detyruan të qëndrojnë në shtëpi për shkak të reshjeve të shiut. Këtë të diel fëmijët i kanë dhënë një tjetër gjallëri Shkodrës me të qeshurat dhe lojrat e tyre por edhe nënat tregojnë se i janë gëzuar shëtitjes.
Një pjesë e tyre shprehen se tashmë frika më e madhe ka kaluar ndaj e kanë të nevojshme të nxjerrin më shumë fëmijët e tyre.
Deri më tani e vetmja mundësi për fëmijët kanë qenë fundjavat me një orar të kufizuar gjë e cila ka sjellë edhe mbushjen e parqeve dhe shëtitoreve në Shkodër dhe mbarë vendin. Ndërkohë të gjithë presin një lehtësim edhe më të madh të masave për të vijuar liri-daljen pas më shumë se 50 ditësh të mbyllur.