15.794 nxënës nisën vitin e ri shkollor 2022-2023 në 96 shkollat e bashkisë Shkodër. Drejtorja e Zyrës Vendore të Arsimit Brisela Kadia mori pjesë në ceremoninë zyrtare që u zhvillua në shkollën 9-vjeçare “Azem Hajdari” e cila rihapi dyert pas një rikonstruksioni të plotë. Kadia tha se numri më i ulët i nxënësve krahasuar me vitin e kaluar vjen si shkak i emigrimit kryesisht.

Në këtë ceremoni mori pjesë edhe Prefektja e Qarkut Shkodër Majlinda Angoni e cila uroi vitin e ri shkollor ndërsa tha se është në diskutim e sipër çështja e transportit të nxënësve në zonat e largëta, problem që nuk është zgjidhur ende që nga viti i kaluar.

Ndërkohë më të lumturit në ditën e parë të shkollës janë nxënësit e klasave të para të cilët e kanë pritur me emocion këtë ditë.

Në klasat e para për këtë vit të ri shkollor janë 1309 nxënës që ulen për herë të parë në banka dhe në shkollat e mesme në klasën e 10-të e nisin këtë vit shkollor 1355 nxënës. Këtë vit në Shkodër janë 712 nxënës më pak në total krahasuar me vitin e kaluar.

Artikulli paraprakMASSAFRA: NË MALE PO MBESIN ANALFABETË
Artikulli tjetër40 NXËNËS NË KLASËN E 10- të NË “JORDAN MISJA”