Prej disa ditësh një pjesë e kabullit elektrik në shtyllat e ndriçimit në rrugën e Shirokës në liqenin e Shkodrës u vodh nga persona të papërgjegjshëm. Që nga ajo natë ai segment për afro 300 metër është në errësirë totale. Mungesa e ndriçimit në atë pjesë në pedonalen e Shirokës është kthyer në një shqetësim qoftë për këmbësorët apo edhe ata që lëvizin me biçikleta ndërkohë errësira mund të bëhet burim aksidentesh edhe për mjetet motorike që lëvizin në atë aks rrugor.
Star Plus Televizion që në ditën e parë ka ngritur shqetësim e vjedhjes së kabullit elektrik të shtyllave të ndriçimit në rrugën e Shirokës por që nga ai moment bashkia Shkodër nuk e ka zëvendësuar ende duke bërë që të vijojë pa ndriçim. Pedonalja e Shirokës është e frektuentuar nga qytetarët e Shkodrës edhe gjatë orëve të mbrëmjes por pavarësisht kësaj deri më tani bashkia Shkodër nuk ka bërë ndërhyrjen e duhur për ta rikthyer ndriçimin duke vështirësuar tepër lëvizjen aty.
Jo shumë larg në kohë në një pjesë tjetër të rrugës së Shirokës ndodhi e njëjta gjë pasi u vodh një gjatësi e konsiderueshme e kabullit elektrik të shtyllave të ndriçimit duke lënë edhe atëherë në errësirë një pjesë të pedonales së Shirokës. Në atë rast bashkia Shkodër pas pak ditësh bëri zëvendësimin e kabullit elektrik ndërsa kësaj radhe një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende edhe pse është një problem. Ndërkohë rastet e vjedhjeve në mjedise publike apo edhe dëmeve të shkaktuara vijojnë të jenë prezente në qytetin e Shkodrës nga persona të papërgjegjshëm.
Ajo që mbetet shqetësuese është se këto raste janë shtuar duke rritur koston për bashkinë Shkodër për t’i riparuar dëmet e shkaktuara. Rasti më i fundit është goditja me një mjet e shtyllave ndriçuese në pedonale në qendër të qytetit apo pak kohë më parë në zonën e Gjuhadolit. Pavarësisht denoncimeve nga ana e bashkisë Shkodër të këtyre rasteve, identifikimi dhe ndëshkimi i këtyre personave të papërgjegjshëm që shkaktojnë këto dëme në mjediset publike është tejet i ulët. Ajo që kërkon bashkia Shkodër është identifikimi i këtyre autorëve nga ana e policisë vendore të Shkodrës.