Pallateve të vjetra në qytetin e Shkodrës i ka ardhur koha për rehabiltim dhe lyerje fasadash.Me dhjetra pallate si në qendër ashtu edhe në periferi të Shkodrës janë në gjendje tejet të amortizuar saqë disa janë kthyer në rrezik jo vetëm për banorët që jetojnë aty por edhe kalimtarët.
Kanë kaluar tashmë 3 dekada që nga ndërtimi tyre ndaj është e domosdoshme një ndërhyrje totale në këto godina të cilat do të merrnin një pamje krejtësisht ndryshe duke u kthyer edhe në një imazh tjetër për syrin e qytetarëve apo edhe turistëve që vizitojnë këtë qytet. Vetëm në Shkodër numërohen me dhjetra pallate të vjetra të cilat kërkojnë nisjen e menjëhershme të punimeve për restaurim pasi deri tani kjo gjë ka dështuar.
Kështu këto pallate në shumë zona të Shkodrës vijojnë të shfaqin probleme të shumta të bashkëjetesës në komunitet. Ballkonet kane nisur të shkërmoqen ndaj kërkohet ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse pasi nuk janë të pakta rastet kur suvatë janë shkëputur nga pallati duke rrezikuar edhe jetën e kalimtarëve.
Përveç sigurisë këto fasada pallatesh janë dhe një imazh prezantues për qytetin e Shkodrës .Pamja që të ofrojnë këto fasada lënë një shije aspak të mirë tek qytetarët ashtu dhe tek turistët që në këto ditë nuk janë të pakët. Madje për shumë turiste këto pamje fiksohen në aparatet e tyre si për të treguar gjurmët e një vend të dalë nga komunizmi .