Për herë të parë në Shqipëri GIZ Albania përmes fondeve të qeverisë gjermane ka nisur hartimin e Planit të Menaxhimit të Rrezikut nga Përmbytjet duke bërë që Shkodra të jetë zona e parë për të cilën hartohet ky plan. Kryetarja e bashkisë Shkodër Voltana Ademi e pranishme në këtë takim kërkoi që ky plan të jetë i zbatueshëm nga të gjithë institucionet sepse në të kundërt mbetet në letër.
Kryebashkiakja solli në vëmendje dy përmbytjet e fundit në Shkodër në 2018 dhe 2021 ku dëmi përllogaritet rreth 11.1 mld dëme ndërsa kërkoi investime për parandalimin e përmbytjeve në zonën e Shkodrës.
Drejtorja e Menaxhimit të Burimeve Ujore në Shqipëri Gerta Lubonja u shpreh se në planin e menaxhimit të rrezikut nga përmbytjet në Shkodër janë përcaktuar zonat më të rriskuara.
Nga ana e saj prefektja e qarkut Shkodër Majlinda Angoni tregoi për investimet që kërkohen për minimizimin e përmbytjeve ndërsa kryetari i këshillit të qarkut Shkodër Hilmi Lakti tha se mungon bashkëpunimi institucional në rastet kur përmbytja vjen.
Plani i menaxhimit të rrezikut të përmbytjeve për Shkodrën do të jetë i vlefshëm për periudhën 2022-2028 dhe do shërbejë si model edhe për hartimin e planeve për basenet e tjera në rang kombëtar.