Kur pritej të shkonte drejt përmirësimit për shkak të kushteve të qëndrueshme të motit, situata e krijuar nga përmbytjet po përkqësohet gradualisht. Këtë të hënë sipërfaqja e tokave bujqësore të mbuluara nga uji arrin në 1440 hektarë, pra rreth 200 hektarë më shumë se një ditë më parë.
Në raportimin periodic të bashkisë Shkodër bëhet me dije se hidrometri në Dajç arrin në nivelin 6.20 metër, hidrometri në liqenin e Shkodrës shënon kuotën 8.42 metër ndërsa në lumin Drin arrin në kuotën 6.95 metër. Njësia Ana e Malit dhe Dajç vazhdojnë që të jenë më problematiket sa i përket përmbytjes. Në Anën e Malit vazhdon të jetë e bllokuar rruga për në Obot për mjetet e ulëta.
Rruga e Obotit është e kalushme vetëm me mjete të larta. Niveli i ujit mbi rrugë arrin mbi 80 cm. Ujesjellesi Oblika 1 si pasojë e përmbytjeve është jashtë funksionit. Ndërmarrja e ujësjellësit ka furnizuar me uje te pijshëm banore të fshatit Oblikë ndërsa në Anën e Malit janë 950 hektar tokë të përmbytura.
Shqetësuese mbetet situata edhe në njësinë Dajç me 450 hektar të përmbytura kryesisht në zonën e quajtur “Këneta e Dajçit” me fshatrat Dajç, Mushan, Shirq, Suka-Dajç, Pentar dhe Darragjat. Vazhdon të jetë i bllokuar segmenti në vendin e quajtur Urrelat që lidh fshatrat Shirq me Darragjat. Në njësinë Guri i Zi vazhdon gërryerja e tokës bujqësore nga lumi Drin në vendin e quajtur Mali i Vukatanit, fshati Ganjollë.
Në njësinë Velipojë sipërfaqja e tokës bujqësore e përmbytur vlerësohet në 30 Ha, kryesisht në fshatrat Ças, Reç, Baks i Ri dhe Luarz. Në njësinë Bërdicë sipërfaqja e tokës bujqësore e përmbytur vlerësohet në 50 Ha, kryesisht në fshatin Trush dhe Bërdicë e Madhe ndërsa vazhdon gërryerja e tokës bujqësore nga lumi Drin në vendin e quajtur Harku i Bërdicës, fshati Bërdicë e Sipërme.
Në njësinë Rrethina sipërfaqja e tokës bujqësore e përmbytur vlerësohet në 10 Ha, në fshatin Zues. Nga dita në ditë situata e përmbytjeve në zonat e NënShkodrës po normalizohet dhe tashmë edhe me pushimin e reshjeve të shiut në këto ditë, pritet edhe një tërheqje më e madhe e ujit nga zonat e pëmbytura.