Situata e krijuar nga përmbytjet në territorin e bashkisë Shkodër mbetet shqetësuese. Pavarësisht mungesës së reshjeve intensive në 24 orët e fundit, ka patur një zgjerim të sipërfaqes së tokave bujqësore të përmbytura e cila vlerësohet në më shumë se 2300 ha. Sipas raportimit periodic të bashkisë Shkodër, situata në terren vijon të jetë serioze. Hidrometri në Dajç shënon kuotën 6.58m.

Në krahasim me raportimin e ditës së djeshme kemi rënie të nivelit të ujit me 3 cm. Hidrometri i Liqenit të Shkodrës, shënon kuotën 8.87 m. Në krahasim me raportimin e ditës së djeshme kemi rritje të nivelit të ujit me 4cm. Hidrometri i lumit Drin shënon kuotën 7.25m.

Në krahasim me raportimin e ditës së djeshme kemi rënie të nivelit të ujit me 25cm. Ndërsa sa I takon situatës së krijuar në lumin Kir, gjatë ditëve të fundit ka patur prurje të shumta.

Në njësinë Ana e Malit nuk ka patur përmirësim të situatës së krijuar nga ëprmbytjet, ku sipërfaqja e tokave të përmbytura I kalon 1100 ha. Rruga e fshatit Obot është vështirë për tu kaluar edhe me mjetet e larta për shkak të nivelit të ujit mbi 1 m. Ndërsa ujësjellësi Oblika 1 është jashtë funksionit si pasojë e përmbytjeve.

Në njësinë Dajç sipërfaqja e tokave bujqësore të përmbytura vlerësohet në më shumë se 900 ha. Rruga Dajç – Darragjat është e pakalueshme për shkak të nivelit të ujit në më shumë se 1m. Ndërsa rreth 50 shtëpi janë të rrethuara nga uji, ku mund të lindë nevoja edhe për evakuimin e banorëve. Edhe në njësinë Bërdicë ka aptur një përkeqësim të ndjeshëm të në 24 orët e fundit.

Sipërfaqja e tokave të përmbytura vlerësohet me 150 ha, konkretisht në fshatrat Bërdicë e Sipërme, Bërdicë e Madhe dhe Trush. Në njësinë Velipojë situata e krijuar paraqitet më e qetë ku konfirmohen rreth 70 ha tokë bujqësore e përmbytur kryesisht në fshatrat Baks I Ri, Luarz dhe Ças. Në njësinë Rrethina fshati Zues ka prezencën më të madhe të ujit e cila vlerësohet me më shumë se 70 ha.

Nisur nga situata serioze e krijuar në zonën e NënShkodrës, bashkia Shkodër ka kërkuar nga Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Lezhë të ndërhyet për marrjen e masave për pastrimin e “përroit të kufirit” Muriqan në njësinë administrative Ana e Malit dhe mbeshtetje me baze ushqimore për gjënë e gjallë ( koncentrat) për njësitë Ana e Malit dhe Dajç.

Artikulli paraprakQAFË THORE, “LUFTA” NË AKULL, NXIRRET ROJA NGA 5 METËR BORË
Artikulli tjetërKESH, BECI: SHKARKIMI MINIMAL, NUK NDIKON NË PËRMBYTJE