Pianistja austriake Verena Zeiner ka mbërritur në qytetin e Shkodrës si një prej master class që drejton të rinjtë e “Rrok Academy”, pjesë e “Shkodra Jazz Festival”.

E njohur në shumë shtete të botës Zeiner ka pranuar ftesën që i ka bërë Florjan Jakaj, drejtues i shoqatës “Rrok Jakaj”, përmes ambasadës austriake në Shqipëri. Pianistja Zeiner ka nisur menjëherë punën me të rinjtë në qendrën rinore “Atelie” ndërsa tregon mësimet e para të saj në “Rrok Academy”.

“Florjan Jakaj më ka ftuar përmes ambasadës austriake dhe kontakti është krijuar përmes kësaj mënyre. Sot të rinjve i kam mësuar shumë gjëra por më të rëdësishme janë ritmiket, pra ushtrimet ritmike të cilat i japin liri një muzikanti për të improvizuar dhe për të luajtur më lirshëm me instrumentin muzikor.

Këto janë gjërat e para sepse normalisht do të kemi edhe shumë të tjera. Më pëlqen që jam këtu dhe po jap një kontribut me të rinjtë shqiptar. Kam vetëm pak kohë dhe po më pëlqen qyteti i Shkodrës me aq pak sa pashë dhe Shqipëria në përgjithësi. Njerëz të dashur dhe pikëpritës. Shpresoj që të gjithë bashkë të bëjmë më të mirën. Jam e lumtur që ndodhem këtu dhe po punoj me të rinjtë.

Nuk e njoh shumë muzikën shqiptare por besoj se në vazhdimësi do të mësoj më shumë dhe do të jem i informuar si duhet. Me sa shoh të rinjtë këtu me të cilët po merremi kanë shumë interes dhe për këtë jam e kënaqur”.

Përveçse do të japë mësimet e saj për të rinjtë e “Rrok Academy” pianistja Zeiner do të ketë edhe koncertin e saj më 28 gusht në ora 19:30 në teatrin “Migjeni” ku i fton të gjithë që të jenë të pranishëm..

“Më 28 gusht në ora 19:30 unë do të kem shfaqjen time në teatrin ‘Migjeni’ këtu në qytetin e Shkodrës. Do të luaj e vetme në piano ose solo siç quhet dhe ndërkohë do të bëj edhe improvizimet e mia dhe pjesët e mia muzikore. Do të jap maksimumin tim për publikun shkodran dhe besoj që të gjithë do të vijnë për të ndarë sëbashku dhe për të shkëmbyer këtë eksperiencë të bukur.

Sa herë që jam në një vend tjetër për të dhënë kontributin tim përmes muzikës emocionet janë të njëjta ndaj edhe kësaj radhe e pres me shumë dëshirë këtë koncert. Muzika bashkon popujt dhe them se kështu do të ndodh edhe pse ndoshta nuk njihemi aq shumë me njëri-tjetrin me publikun këtu në Shkodër por kam shumë për të dhënë dhe natyrshëm shumë për të marrë nga ju. Mund të kem shumë për të thënë por do flasim edhe pas koncertit”.

Pianistja Verena Zeiner është drejtuese e bandave të saja dhe performon në rang kombëtar dhe ndërkombëtar me artistë të ndryshëm, kompozon dhe luan për valltarë dhe krijon muzikë për shfaqje teatri për audience të reja.

Është pedagoge pranë universitetit të Muzikës dhe Arteve Performuese dhe udhëheq trajnime mbi improvizimin dhe tema të tjera që kanë lidhje me muzikën dhe lëvizjen ndërsa për disa ditë do të jetë në Shkodër në “Rrok Academy”.

Artikulli paraprakBRAÇE: HETIM TREGUT TË KARBURANTEVE
Artikulli tjetërVLLAZNIA, TRAJNERI JONUZ: S’JAM MAGJISTAR, DUA MBËSHTETJE