Kryetari i ardhshëm i bashkisë Shkodër i ka dhënë një tjetër përgjigje akuzave dhe sulmeve të Partisë Demokratike ndaj tij por kësaj radhe shoqëruar edhe me fakte përmes një shkrese zyrtare që vjen nga Italia, atje ku PD pretendon se Pjetri ka qenë i dënuar për trafik droge.
Pjetri në reagimin e tij ka postuar një shkresë nga ministria e drejtësisë në Itali për pastërtinë e figurës ku aty nuk del i dënuar apo me ndonjë problem tjetër të këtij lloji. Pjetri në reagimin e bërë shkruan se:
“Nuk dua të hyj në baltën e PD-së, e cila ka javë që kërkon të njollosë figurën time. Ja ku janë çertifikatat e pastërtisë së figurës time në shtetin Italian. Të tjerat i’a kam lënë atyre që duan të mbulojnë dështimet e tyre disa vjeçare duke njollosur emrin tim. Ditë më të mira po vijnë për Shkodrën dhe banorët e saj”.
Vetëm pak minuta pas këtij publikimi të kryebashkiakut të ardhshëm të Shkodrës Valdrin Pjetri ka reaguar sekretari i përgjithshëm i PD Gazmend Bardhi i cili tha se Valdrin Pjetri ashtu si Elvis Roshi fsheh dënimin e tij. Bardhi shkruan se:
“Edi Rama detyroi serish Valdrin Pjetrin të mashtrojë për të mbuluar të kaluarën e tij si trafikant droge. Pasi dështoi me TIMS-in, që fakton se Valdrin Pjetri nuk ka shkelur në Itali për 7 vjet, trafikanti i Ramës publikoi dokumente që mashtrojnë opinionin publik për të kaluarën e tij kriminale.
Njëlloj siç bëri edhe Elvis Rroshi për të fshehur dënimin, edhe Valdrin Pjetri, sot publikoi dëshminë e penalitetit si çertifikatë virgjërie. Ky dokument nuk ka asnjë vlerë. Kushdo e di që pas kalimit të një periudhe të caktuar kohore, dënimi i marrë në të shkuarën nuk shkruhet më në dëshminë e penalitetit.
Ky është edhe rasti i dokumentit të publikuar nga Valdrin Pjetri. Ai dokument nuk provon që një person nuk ka qenë ndonjeherë i dënuar. Për t’i rifreskuar kujtesën drejtuesit politik të Edi Ramës në Qarkun Shkodër, po bëjmë vetëm 1 pyetje: Çfarë të kujton data 27 Janar 2003?”