Një plagosje ka ndodhur në njësinë administrative Velipojë pasditen e kaluar. Ka qenë ora 17:50 e 5 majit kur në zonën e plazhit në Velipojë policia vendore e Shkodrës raporton se ka ndodhur një plagosje me armë të ftohtë thikë. I plagosur ka mbetur shtetasi Alfons Ndoka, 62 vjeç, banues në Velipojë.
Pas kësaj ngjarje të ndodhur menjëherë në vendngjarje ka mbërritur ambulanca e Velipojës duke bërë transportimin e 57 vjeçarit drejt spitalit rajonal të Shkodrës për t’i dhënë ndihmën e parë. Pas dërgimit të tij në urgjencë, burime spitalore bëjnë me dije se shtetasi i plagosur Alfons Ndoka është jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë pas plagosjes së ndodhur në zonën e plazhit në Velipojë, në vendngjarje kanë mbërritur fillimisht forcat e policisë të Stacionit Velipojë dhe falë reagimit të shpejtë është bërë e mundur kapja dhe arrestimi i autorit të dyshuar të kësaj ngjarje. Policia arrestoi shtetasin e dyshuar Vate Lisaj, 43 vjeç edhe ky banues në Velipojë.
Pas arrestimit është bërë e mundur dërgimi i tij në dhomat e paraburgimit. Nga burimet në vendngjarje 43 vjeçari nuk ka rezistuar ndaj policisë duke pranuar që t’i vihen prangat. Burimet po ashtu bëjnë me dije se kjo ngjarje mes dy shtetasve Alfons Ndoka që mbeti i plagosur dhe autorit të dyshuar Vatë Lisaj ka ardhur pas një konflikti të çastit.
Dëshmitarët rrëfejnë se këta dy shtetas kanë qenë në të njëjtin lokal në zonën e plazhit në Velipojë dhe mes tyre fillimisht ka nisur një debat. Dyshohet se këta shtetas kanë qenë nën efektin e alkoolit dhe kanë debatuar me njëri-tjetrin.
Pas debatit situata mes tyre është acaruar edhe më shumë duke sjellë edhe konfliktin. Në këtë mënyrë në debat e sipër 43 vjeçari Vatë Lisaj dyshohet se e ka sulmuar shtetasin Alfons Ndoka duke e lënë të plagosur por jashtë rrezikut për jetën. Policia e Velipojës dhe ajo e Shkodrës po vijojnë hetimet e mëtejshme për të zbardhur të plotë këtë ngjarje të ndodhur.