Një 49-vjeçare është plagosur me armë zjarri mesditën e së shtunës në lagjen “Fahri Ramadani”, fare pranë shkollës së mesme artistike “Prenkë Jakova”.
E plagosur ka mbetur shtetësja me iniciale F.M. banore e lagjes Partizani. Akoma nuk është saktësuar nëse kjo shtetase ka qenë shënjestër e sulmit, ndërsa bëhet me dije se është qëlluar fare pranë derës së dyqanit ku shiste. Ngjarja ka ndodhur nën praninë e shumë kalimtarëve dhe tregtarëve ambulantë në dy anët e trotuarit.
Kjo ka rrezikuar jetën e personave që lëviznin në atë zonë. Bëhet me dije se 49-vjeçarja është qëlluar nga dy persona që po lëviznin me motoçikletë. Menjëherë pas ngjarjes, agresorët janë larguar me shpejtësi duke iu shmangur patrullave të policisë. Ata janë favorizuar nga reshjet e shiut dhe trafiku i krijuar nga automjetet menjëherë pas plagosjes. Shtetësja F.M. është dërguar me shpejtësi në Spitalin Rajonal të Shkodrës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Nga ana tjetër, forcat e policisë kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve.