Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur mbrëmjen e kësaj të shtune në zonën e Shirokës në Shkodër. Një djalë 17 vjeç me inicialet D.Q, kalimtar i rastit është plagosur në këmbë ndërsa ndodhet jashtë rrezikut për jetën. 17 vjeçari ka marrë një lëndim të lehtë nga rikosheti i plumbit në momentin kur është qëlluar ndërsa ka marrë mjekim në spitalin rajonal të Shkodrës.
Policia pak orë pas ngjarjes së ndodhur ka arritur që ta zbardh duke identifikuar autorin e dyshuar, shtetasin me inicialet B.G 26 vjeç nga Shkodra por banues në qytetin e Durrësit. 26 vjeçari mësohet se është i dyshuar për veprat penale “Armëmbajtje pa leje”, “Tentaivë Vrasje”, “Prishje e rendit dhe qetësisë publike”, “Vetëgjygjësi” dhe “Plagosje e lehtë me dashje”. Sipas burimeve 26 vjeçari dyshohet se ka qëlluar ndaj pronarit të një lokali në zonën e Shirokës, shtetasit S.B 46 vjeç banues në Shirokë. Nga të njëjtat burime mësohet se konflikti mes këtyre dy shtetasve ka ndodhur ditën e premte për çështje parkimi të makinës së autorit të dyshuar.
Palët kanë debatuar dhe më pas janë larguar. Një natë më mbrapa autori i dyshuar B.G e ka ruajtur 46 vjeçarin pronarin e lokalit dhe i ka dalë përpara duke qëlluar 3-4 herë me armën e zjarrit tip pistoletë por duke mos arritur që ta plagosë dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të paditur. Gjatë momentin kur ka qëlluar një prej plumbave ka bërë rikoshet dhe ka përfunduar në këmbën e një 17 vjeçari i cili ishte kalimtar i rastit ndërsa ka shpëtuar mrekullisht pa marrë plumb të tjerë. Pas të shtënave në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie duke nisur punën për zbardhjen e plotë të plagosjes. Pas pak orësh policia ka arritur që të identifikojë autorin e dyshuar shtetasin B.G që është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tij.
Efektivët kanë sekuestruar kamerat e sigurisë të subjekteve aty afër duke arritur që të identifikojnë autorin e dyshuar dhe objektivin, pronarin e lokalit i cili po lëvizte me një makinë tip audi. Pika turistike e Shirokës edhe pas investimit që është bërë tashmë po frekuentohet në mënyrë masive por ngjarje të tilla kriminale mund të ndikojnë negativisht.