Poetja kosovare Ervina Halili ka qenë e ftuara e radhës tek “Oda e Poezisë” e organizuar nga qendra rinore “Arka” në qytetin e Shkodrës. Një poete e cila ka goditur me botimet e saj duke tentuar që të zhvesh shtrezimin që nuk paraqet të vërtetën edhe pse pranohet nga të gjithë, shtrezim që mbart brenda edhe situatën politike e sociale të një vendi.
Lexuesi që imagjinon poetja Ervina Halili kur shkruan poezitë e saj është një lexues me intiligjencë të madhe emocionale duke mos preferuar ta quaj elitar sepse sipas saj vlerat që prodhon elitarizmi janë të imponuara dhe artificiale.
Ervina Halili është një poete që kërkon të thyej këto rregulla të pranuara nga të gjithë në shoqërinë shqiptare sepse i gjithë sistemi është i ndërtuar për t’i shërbyer kapitalit dhe politikës në mënyrë që gjithçka të jetë e kontrolluar.
Poetja një kritikë të fortë ka edhe për atë që ka ndodhur në këto 30 vite në vendin e saj në Kosovë duke thënë se memoria e para viteve ’90 është shkatërruar.
Ervina Halili është shkrimtare dhe studiuese e letërsisë, me fokus të veçantë te miti. Ajo ka kryer hulumtime në fushën e automatizmit kolektiv dhe psikologjisë kolektive. Libri i saj “Amuletë” mori çmimin vjetor në vitin 2015 në Kosovë, ndërsa “Gjumi i Oktopodit” u përkthye dhe botua në gjuhën gjermane në Vjenë, në vitin 2016.
Ka qenë pjesë e disa qëndrimeve letrare, projekteve kulturore mbi muzetë dhe panaireve ndërkombëtare. Është koleksionuese e arkivit privat të shkrimtarëve të Kosovës dhe Ndërmarrjes Shoqërore Rilindja në Kosovë.