Policia vendore e Shkodrës ka arrestuar një shtetas i cili lëvizte me armë pa leje. Në këtë mënyrë efektivët bëjnë të ditur se në pranga ka rënë shtetasi me inicialet G.C 42 vjeç. Policia në njoftimin e saj bën me dije se vijojnë kontrollet e shtuara në të gjithë qarkun, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Shkodër në vijim të punës për rritjen e parametrave të sigurisë, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, kanë ushtruar kontroll, për kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri. Gjatë kontrolleve në vendin e quajtur rruga e Golemit, shërbimet e Policisë, kanë gjetur në automjetin e 42 vjeçarit me inicialet G.C, poshtë sediles së drejtuesit mjetit një armë zjarri pistoletë me një krehër me fishekë. Në përfundim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit 42 vjeçar G. C, ndërsa është i dyshuar për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit”. Nga sa mësohet në momentin kur është ndaluar nga policia personi që u arrestua nuk ka bërë rezistencë ndërsa nuk ka treguar se në mjetin e tij kishte një armë dhe pas kontrollit efektivët arritën që ta gjejnë. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprime të mëtejshme procedurale. Kohët e fundit policia vendore e Shkodrës i ka kushtuar një vëmendje kontrolleve për personat që lëvizin me armë pa leje në rrugët e qytetit apo njësive administrative si një shqetësim jo i vogël. Shumë prej të arrestuarve muajt e fundit njihen edhe si persona me rrezikshmëri të cilët duke patur edhe armë me vete janë gjithnjë një kërcënim për komunitetin ndaj policia ka shtuar kontrollet dhe numrin e të arrestuarve për të ulur sado pak rrezikun e përdorimit të armëve nga këta persona.