Policia vendore e Shkodrës ka arrestuar dy shtetas, njëri I shpallur në kërkim ndërsa tjetri për shpërndarje të lëndëve narkotike. Në këtë mënyrë policia bën të ditur në njoftimin e saj se është kapur dhe vënë në pranga një 33 vjeçar me inicialet A.K banues në lagjen “Skenderbeg” në Shkodër.
Arrestimi i këtij shtetasiu bë për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”. Sipas policisë në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, forcat e posaçme “Shqiponja”, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, pas lokalizimit të vendndodhjes, bënë kapjen dhe arrestimin e 33 vjeçarit. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim,
pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, me vendimin e datës 15.01.2020 i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” në mungesë, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, në lidhje me ngjarjen e ndodhur në datën 08.01.2020, në fshatin Grudë, Shkodër, ku shtetasi A. K. dhe vëllai i tij shtetasi N. K., 28 vjeç, kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të një banese.
Policia thotë se vijon puna për kapjen e shtetasit N.K. Ndërkohë sipas policisë vijojnë kontrollet edhe për goditjen e paligjshmërisë dhe kapjen e personave që shpërndajnë lëndë narkotike ndërsa është arrestuar në flagrancë 1 shtetas dhe është proceduar penalisht 1 tjetër si dhe është sekuestruar një sasi lënde narkotike, një sasi fishekësh dhe pajisje policore.
Nga strukturat e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve, në zbatim të masave për goditjen e personave që shpërndajnë lëndë narkotike në qytet, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, u arrestua në flagrancë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”,
“Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe e municionit”, “Mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, shtetasi me inicialet R. L. 23 vjeç, banues në lagjen “Skënderbeg”, Shkodër. Gjithashtu u procedua penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, shtetasi me inicialet R. Ç, 17 vjeç, banues në lagjen “Skënderbeg”, Shkodër.
Shërbimet e Policisë kanë ndaluar për kontroll, në vendin e quajtur “Parrucë”, lagjja ‘’Qemal Stafa’’, mjetin tip ‘’Benz’’, me drejtues shtetasin R. L. dhe pasagjer shtetasin R. Ç. Në bagazhin e këtij mjeti u gjend një shkop bejsbolli, ndërsa në sediljen e parë u gjet një shkop gome policie.
Gjithashtu, gjatë kontrollit fizik, shtetasit R. L. i është gjetur një sasi e vogël lënde narkotike cannabis sativa. Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të banesës të shtetasit R. L. u gjetën edhe 48 fishekë. Lënda narkotike dhe sendet e gjetura janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.